Si e shohin të ardhmen e Shqipërisë të rinjtë e Lezhës

26/11/2015 00:00

Ja disa nga mesazhet që kanë dhënë të rinj nga qyteti i Lezhës, mbi mënyrën sesi e shohin dhe si e duan ata të ardhmen e vendlindjes së tyre, por edhe të të gjithë Shqipërisë.

Dajana Lleshi: Unë dua një Shqipëri që rritet e zhvillohet, duke u bazuar tek e drejta dhe te puna e qytetarëve të saj. Unë dua një Shqipëri larg dogmave dhe paragjykimeve, një Shqipëri që të më bëjë krenare.

Dea Frroku: Dua që, kur të eci në rrugët e paudha të këtij vendi, të shoh fytyra të qeshura e njerëz që nxitojnë për të shkuar në punë.

Malvina Bushi: E dua Shqipërinë, sepse është e banuar nga të varfërit, por të pasur me dashuri. Ata tani zgjasin duart nga qoshet e rrugëve qorre e luksit verbues. E dua Shqipërinë të pasur me dashuri ndaj njëri-tjetrit, nga e cila të lindë pasuria materiale, që të na mbajë të lidhur fort, si hallkat e një zinxhiri.

Kevin Martini: Nëse ligji do të jetë i barabartë për të gjithë, atëherë do të kemi një Shqipëri me mundësi të barabarta për secilin prej nesh.

Kejsi Jakini: Dua një Shqipëri që nuk njeh përçarje, pabarazi dhe padrejtësi. Dua të jetë vendi, ku lindin shpresat dhe po aty marrin jetë; një Shqipëri që të shton dëshirën për të jetuar e himnizuar bukuritë që ka.

Denisa Nikolli: Do të ndaloj së dashuri vendin tim, vetëm atëherë kur një piktor shurdh do të mund të pikturojë zhurmën e rënies së një petali trëndafili, mbi dyshemenë prej kristali të një kështjelle, që nuk ka ekzistuar kurrë.

Florinda Deda: Një Shqipëri siç e dua unë, do të ishte një shtet që të ofron mundësi të punosh, të jetosh, pa pasur frikë se dikush mund të të kërcënojë, thjesht dhe vetëm se ai e quan veten më të fortë se ti. Unë e dua Shqipërinë si vendi, nga i cili kurrë nuk do të doje të largoheshe!

Gjergj Ndoci: Faik Konica ka pasur të drejtë, kur përkufizonte: “Shqiptari kur humb trenin nuk thotë u vonova, por iku treni”… Të gjithë e duam Shqipërinë si vendet e zhvilluara, por nuk kontribuojmë.

Sibora Bala: Dua të jetoj në një vend, ku njerëzit punojnë me energji dhe besim, dhe e trajtojnë njëri-tjetrin me respekt. Dua një Shqipëri, që të më ushqejë besim, se po të jem e zonja mund të shkollohem mirë e të punësohem me meritën time.

Top Channel