Debate për dekriminalizimin në Parlament, Berisha: Nuk e votoj pa testin e drogës

26/11/2015 00:00

Pavarësisht se votimi i draftit të dekriminalizimit do të bëhet pasi të jenë hartuar ndryshimet kushtetuese, debati për të u konsumua në Parlament.

E megjithëse ai u hartua me konsensus, palët nuk e lanë rastin që t’iu ikë, për të akuzuar për lidhje me krimin apo mosndëshkim për të. Në emër të PD, Oerd Bylykbashi akuzoi kryeministrin Rama për inkrimimin e Parlamentit dhe administratës.

“Rëndësi ka sot që ky ligj të miratohet dhe do të nisë një fazë e re kur kriminelët që janë sot në poste do largohen, ndërsa të tjerëve nuk do t’iu shkojë ndërmend t’u afrohen posteve publike”, deklaroi Bylykbashi.

Ashtu si kryetari Basha një ditë më parë, ai e vuri theksin tek nevoja e përfshirjes edhe të testit të drogës, por jo si kusht. “Sigurisht, me atë që mund të dalë arsyet janë shumë të mira për këtë mazhorancë që të mos e pranojë atë propozim tonin”, tha Bylykbashi.

Ky qëndrim, që është zyrtari i PD, erdhi vetëm pak orë pasi ish-kryeministri Berisha, në replikë me ministrin Tahiri deklaroi se nuk e voton ligjin pa testin e drogës.

“Janë tre herë më të mirë ata që u larguan nga Parlamenti sesa ti, i njohur si i droguar”, i tha Berisha Tahirit. “Pa testin e drogës ligji është i gjymtuar. Edi Rama është i droguar, sipas shumicës së shqiptarëve. Si do ta votoj unë ligjin pa testin e drogës? Kundër ndërgjegjes sime”, vijoi Berisha.

“Si do bëjmë me ata që nuk janë dënuar kurrë dhe kanë marrë vendime për vjedhjen e qytetarëve? Prandaj kemi vetëm një mision, pa të cilin asnjë prej nesh këtu nuk vlen. Madje, edhe rrogën duhet t’ua kthejmë shqiptarëve mbrapsht nëse ky parlament nuk miraton reformën në drejtësi. Se në fund të ditës drejtësia bën drejtësi dhe zyrtari i korruptuar do të dënohet, politikani i korruptuar do dënohet, fëmijët e babit kryeministër nuk do të vjedhin toka e prona. Për këtë kanë nevojë shqiptarët, për reformën në drejtësi”, u përgjigj Tahiri.

Qëndrimi se më e rëndësishme është reforma në drejtësi për të ndëshkuar krimet e pushtetarëve të djeshëm u përforcua në emër të grupit socialist nga Taulant Balla.

Balla: Në këtë krah të sallës nuk ka asnjë të dënuar apo gjykuar për krimet e parashikuara nga ky ligj. Në krahun tjetër as Saliu e as Luli nuk janë gjykuar e dënuar, jo më tjetërkush këtu në radhë të parë.

Berisha: Ju jeni partia e krimit, ju jeni kriminelë, ju i keni strehuar ata dhe mbani Parlamentin peng prej një viti në mbrojtje të tyre. Por ne nuk kemi impresione nga ju dhe një nga një do ju gjëmojmë që edhe krimineli i fundit të dalë nga Parlamenti.

Balla: Ti je një vrasës që nuk je ndëshkuar, një hajdut që nuk je ndëshkuar dhe gjithë veset që ka yt bir ti kujton se i kanë të gjithë moshatarët e tij. Se lë yt bir para në bixhoz duhet t’i lënë edhe moshatarët e tij, se merret yt bir me lloj lloj krimineli duhet të merren edhe moshatarët e tij.

Krejt ndryshe nga linja zyrtare e partisë së tij ka qenë qëndrimi i Ben Blushit. I përfshirë shpesh në diskutime publike për këtë çështje, deputeti socialist deklaroi se ulja e të inkriminuarve në karriket e Parlamentit është rrjedhojë e mungesës së demokracisë së partive, ku deputetët emërohen nga kryetari.

“Si kanë ardhur ata? Kanë ardhur “off side”, siç thuhet në futboll. Kanë ardhur pa rregull dhe janë emëruar, sepse në partitë tona nuk ka votim. Kjo është kosto për Shqipërinë. Kjo është arsyeja përse në këtë parlament nuk ka mësues, por ka më shumë nxënës të këqinj, ka më shumë armë se libra, nuk ka më shumë ekonomistë por spekulantë, nuk ka më shumë juristë, por të burgosur dhe nuk ka më shumë inxhinjerë por njerëz që kanë bërë ndërtime pa leje. Dhe ata do të vijnë prap këtu nëse partitë tona s’ndryshojnë. Dhe që në fund fare t’i jap përgjigje atyre xixëllonjave që rrinë në ballin e partisë, e dini ku është ndryshimi? Fëmijët e fshatrave kur duan të gjejnë derën e banjës vënë një xixëllonjë në ballë. Kjo nuk është dritë. Xixëllonja të ndihmon të gjesh banjën, kurse drita të dalësh nga errësira”, deklaroi Blushi.

Top Channel