Balla: Të ndëshkohen zyrtarët e djeshëm. Saliu dhe Luli nuk kanë dhënë llogari

26/11/2015 00:00

“Kjo është një seancë e pazakontë e këtij parlamenti. Të cilën dua ta them qysh në fillim, e bën qesharake fakti se teksa jemi bashkuar për të ndaluar baltën që hyn prej vitesh në politikë nga rrugët e paligjshmërisë, pala që kërkoi konsensusin tonë për këtë ligj, vazhdoi të hedhë baltë edhe dje edhe sot, duke këmbëngulur paturpësisht tek i ashtuquajturi testi i drogës”.

Kështu ka deklaruar deputeti Taulant Balla në seancën e sotme plenare, ku është shprehur: “Kjo farsë njerëzish të droguar nga mllefi është në fakt shembullore për të vërtetën se Partia Demokratike nga shpifjet vjen, drejt shpifjeve shkon, me shpifje rron!”.

Ja dhe fjala e plotë e nënkryetarit të grupit parlamentar të PS:

“Duke shpifur përditë prej vitesh, pasojë e botkuptimit stalinist që i dikton sjelljet dhe qëndrimet ndaj kundërshtarit, opozita e sotme është kriminalizuesja më e madhe e politikës shqiptare. Fatkeqësisht edhe ky ligj nuk zgjidh gjë në këtë aspekt.

Kriminalizimi i kundërshtarit me baltosje të përditshme, sic dëgjuam edhe sot në këtë sallë, do të mbetet problemi dhe turpi i politikës sonë. Problemi, por pse jo, edhe turpi i një pjese të shoqërisë sonë, që e voton diku tek pak mbi 30 perqind, këtë politikë të urrejtjes kriminalizuese ndaj kundërshtarit politik! Problemi dhe turpi i Shqipërisë sonë në sytë dhe në veshët e të huajve!

Ne sot shqyrtuam në parim një ligj, i cili në radhë të parë tenton të mbrojë këtë institucion nga prurje politike të padëshirueshme për standartdin e një shoqërie, e cila synon të jetë e lirë, demokratike dhe europiane.  Unë, sidoqoftë kam bindjen se ky ligj ndoshta nuk do të bëhej kurrë i nevojshëm, nëse të humburit nga pushteti, nuk do të gjenin alibinë për ikjen nga pushteti dhe mungesën e shpresës për tu rikthyer, tek deputetë që më shumë u “kriminalizuan” në këtë Kuvend, sesa ishin të inkriminuar përpara se të vinin këtu.

Kryetari i SHQUP-it ka folur, duke tjerrur furkën e shpifjeve, për gjoja 19 kriminelë brenda në këtë sallë, lideri i vërtetë i  PD-së ka thënë se janë më shumë,por shqiptarët do të shohin dhe do të dëgjojnë pas zbardhjes së këtij ligji se ne fakt ne këtë krah të sallës nuk ka asnjë të dënuar apo gjykuar për krimet e parashikuara nga ky ligj.

Në këtë krahun tjetër, as vete Saliu dhe Luli nuk janë gjykuar dhe dënuar, lëre pastaj tjetërkush.

Por ne punuam me vullnet të plotë për këtë ligj dhe do ta votojmë këtë ligj, sepse ashtu siç njeriu i arsyeshëm sillet me çdo qënie të papërgjegjshme, edhe ne duam t’ia heqim mjetet e rrezikshme nga duart opozitës, të cilës i ka humbur rruga, ideali, vizioni dhe fuqia për tu ringritur.

Është e nevojshme t’i heqim nga duart, alibira me të cilat po njollosnin rëndë imazhin e Shqipërisë dhe institucionet e shtetit shqiptar. Sot duhet të flasim me njëri tjetrin troc dhe të mos shesim më hipokrizinë për sinqeritet. Ky ligj nuk ka asnjë vlerë pa bërë reformën në drejtësi. Ne nuk kemi alibi dhe nuk do të kërkojmë alibi. Ne japim llogari vetëm përpara atyre që na kanë votuar për një Shqipëri më të drejtë. Shqiptarët presin një sistem drejtësie që të dënojë edhe hajdutët pa pushtet, por edhe ofiqarët me imunitet.

Sot në Shqipëri ka një korporatë që duhet dekriminalizuar.

Është korporata që shet drejtësinë, është koorporata e gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar, që lënë të lirë të korruptuarit dhe të inkriminuarit.

E vërteta e tmerrshme është se shqiptarët nuk kanë shans ende sot të marrin të drejtën e pronës së tyre pa paguar, nuk kanë shans të marrin drejtësinë për djalin e vrarë apo vajzën e përdhunuar, pasi ri-vriten e ri-përdhunohen në dyert e gjykatave. Dekriminalizimi i vërtetë mund të bëhet vetëm nga reforma në drejtësi. Bashkimi Europian nuk ka për të na i hapur kurrë dyert e veta, nëse ne nuk do provojmë dy gjëra themelore.

E para, që drejtësia nuk është mall që shitet dhe që blihet dhe e dyta, se përpara ligjit jemi të gjithë të barabartë. Të gjithë të barabartë para ligjit.

Kolege dhe kolegë!

Unë e kam pritur me një lehtësim të madh këtë ditë, sepse personalisht si kryetar i delegacionit shqiptar në Parlamentin Europian, ndjehem i çliruar nga lumenjtë  e baltës që hidheshin korridereve të Evropës, nga njerëz të dëshpëruar me popullin dhe vendin e tyre, pse populli nuk i ka votuar dhe pse vendi i tyre nuk i do.

Ata që nuk shpjegojnë dot humbjen, rihumbjen e tyre dhe distancimin e shqiptarëve prej tyre, përpiqen t’i bëjnë terapi vetes, duke njollosur Shqipërinë.

Për këtë arsye jam shuuuuumë më i interesuar sesa opozita  që të votohet ky ligj dhe t’i hiqet alibia kësaj opozite, përse nuk e do populli shqiptar.

Por të nderuar deputetë, nuk mund të mos flas sot dhe për një lloj hipokrizie, që na bashkon kur votojmë dhe duartrokasim për një ligj që e kemi shpikur për të mbuluar dobësitë tona.

Një ligj që nuk ka asnjë vlerë, nëse nuk bëjmë reformën në drejtësi. Ne sot diskutuam një ligj, i cili ndëshkon armiq që nuk i njohim, emra që nuk i dimë, krime që nuk janë kryer ende dhe dëshira të cilat nuk e dimë nëse egzistojnë ose jo. Ne sot diskutuam një ligj, jo  për të ndaluar veset e politikës shqiptare, por për të ndaluar njerëzit me vese të hyjnë në politikën shqiptare.

Ne sot diskutuam sot ligj, i cili nuk ka të bëjë me ndokënd prej nesh që ka shkelur ligje apo që ka bërë dhe krime, nuk ka të bëjë me ndokënd prej nesh, që është në këtë sallë dhe që dikush prej nesh ka vrarë për të qëndruar në pushtet, ka vjedhur për të blerë pushtet dhe akoma më keq, i ka shpall luftë shtetit shqiptar, për të mos u ndërshkuar. Jo! Aspak.

Po nuk bëmë reformën në drejtësi, ligji që diskutuam sot është një ligj që askush të mos të na hyjë më në pjesë në këtë histori,duke e shpallur çdo krim të bërë nga ne deri më sot si të amnistuar dhe të mbrojmë vathën tonë nga hajdutët e xhepave, azilantët e zbuar nga perëndimi si njerëz pa letra, apo qoftë dhe ndonjë individ që është përfshirë në vepra penale ordinere, për të cilat ka vuajtur dënimin.

Ne duhet të kemi guximin t’u themi shqiptarëve, se nëse nuk bëjmë reformën në drejtësi, me ligjin që diskutuam sot nuk po mbrojmë politikën nga krimi, por po mbrojmë disa njerëz të inkriminuar nga konkurenca e krimit.

Ne duhet t’u themi shqiptarëve, se nëse nuk bëjmë reformën në drejtësi, me ligjin që diskutuam sot po bëjmë një ligj, i cili poshtëron dikë, që është arrestuar dhe ka kryer dënimin për një vepër penale ordinere dhe mbron nga konkurenca me të, një burrë plak në këtë sallë, që i ka shpall luftë shtetit shqiptar, vetëm pse i biri i tij u përfshi në një biznes vdekjeprurës që vrau 26 qytetarë.

Ne kemi në këtë sallë një burë që ka vrarë katër qytetarë të pambrojtur dhe të parrezikshëm në bulevard, duke protestuar dhe  ky u mburr me këtë vepër.

Vetëm për t’i shpëtuar dënimit ai shpalli egzistencën e një grushti shteti, që ende nuk e kemi hetuar , shpalli armë të sofistikuara që akoma nuk i kemi gjetur dhe nxorri të pafajshëm edhe gardistët që u vranë për të cilat ka prova shkencore si egzektutues.

Po nuk bëmë reformën në drejtësi, ligji që diskutuam sot është një ligj që ky njeri të mos ketë konkurent asnjë hajdut xhepash apo ndonjë të burgosur për rrahje apo plagosje.

Kjo është hipokrizia jonë para shqiptarëve. Dhe duhet ta pranojmë. Po nuk bëmë reformën në drejtësi, ligji që diskutuam sot është një ligj, i cili ndalon të hyjë në këtë sallë cdo kush që është dënuar pse ka vjedhur 2 mijë euro e lart, por do të vazhdojmë të kemi në krye të opozitës dikë që është akuzuar për vjedhjen e mbi 230 milionë eurove, nga Prokuroria e Shqipëirsë dhe që iu shmang gjyqit me procedurë, raporte mjekësore, para dhe pushtet.

Ne kolege dhe kolegë deputetë diskutuam sot një ligj që të heqim nga adminsitrata drejtorë apo nëpunës që mund të jenë akuzuar për sherre ordinere dhe do të kemi në parlament ish-ministra që janë mbrojtur me imunitet për të mos shkuar në sallën e gjyqit.

Ne kolege dhe kolegë deputetë do të ndalojmë me këtë ligj të hyjë në parlament cdo emigrant shqiptar që ka qenë në Itali, Zvicër apo Gjermani, që është ndaluar, hetuar apo kontrolluar si spaciator droge, dhe do të kemi në parlament dikë me dy pasaporta.

Kjo është hipokrizia jonë para shqiptarëve. Pa reformën në drejtësi, ligji që diskutuam mbetet një ligj aspak për të rritur ndëshkueshmërinë, por për të mbrojtur të pandëshkuarit edhe për ca kohë nga ndëshkimi popullor.

Pa reformën në drejtësi, ligji që diskutuam mbetet një ligj i cili tenton të krijojë barriera morale në politikë, për një parlament, i cili është shembulli i mos-ndëshkueshmërisë për cdokënd që ka bërë krime.

Ka në këtë sallë një njeri që ka kapur drejtësinë dhe që ka përdorur pushtetin për të mos u gjykuar dhe ndëshkuar kurrë. Unë jam i lumtur që do të votoj kur të vijë momenti një ligj që u heq këtyre baltën nga goja, por nuk jam aspak naiv të besoj se po miratojmë një ligj që heq baltën nga parlamenti dhe politika, nëse nuk bëjmë reformën në drejtësi.

Ajo është këtu mes nesh dhe ky ligj është një alibi për pandëshkueshmërinë e tyre deri më sot.

Për të qenë të ndershëm me shqiptarët, ne nuk duhet ta fillonim këtë punë, me ata që pritet të vinin si kriminelë në këtë parlament,por me ata kriminelë të pandëshkuar që janë në këtë sallë që kanë lyer duart me gjakun e shqiptarëve, dhe që krenohen që nuk mund t’i dënojë askush.

Unë do ta votoj këtë ligj me shpresë se do t’i hapë rrugë pastrimit të thellë të politikës shqiptare, por jo se shpresoj që ata që kishin ndërmend të vinin në këtë Kuvend janë më të këqinj se këta që unë kam përballë. Ne do ta miratojmë këtë ligj dhe cfarëdo ligji tjetër që opozita të kërkojë lidhur me ndëshkimin e krimit. Sepse ndërshkimi i krimit është drejtimi i duhur që ne kemi zgjedhur.

Ne mund tu miratojmë këtyre çdo kërkesë për transparencën, për ndëshkimin e krimit dhe pavarësinë e institucioneve dhe do të ruajmë qetësinë dhe dinjitetin kur ata të kërkojnë ta degradojnë këtë proces, të cilin e kanë frikë,  duke kërkuar analizat e urinës për të verifikuar sa i kemi përqindjet e alkoolit, kolesterolit apo diabetit.

Kush ka hyrë në politikë duke mbajtur uturakë, aty e ka plakun dhe mund t’ia mbajë uturakun gjithë jetën.  Ne jemi të gatshëm t’u përgjigjemi për kërkesa që Ju i keni si alibi,  përse nuk i voton populli shqipar. Por, shpresoj që në fund, të mos na kërkoni dhe ndërrimin e popullit, meqë nuk i voton. Këtë nuk ua bëjmë dot”.

Top Channel