Vasili: Treguam që politika në tërësinë e saj nuk është e kriminalizuar

26/11/2015 00:00

“I nderuar drejtues i seancës. Të nderuar kolegë deputetë, sigurisht që, në këtë çast që po komunikojmë së bashku dhe në mënyrë të veçantë edhe me qytetarët tanë, as mund të ndihemi mirë, as mund të ndihemi shumë të lumtur, as mund të ndihemi fitimtarë të mëdhenj për këtë që ne sot miratojmë”.

Kështu e ka nisur fjalimin e tij në Parlament nënkryetari i grupit të LSI, Petrit Vasili, i cili ka vijuar:

“Në fund të fundit, kemi bërë vetëm një gjë të mirë, sepse jemi në sytë e opinionit publik, jo vetëm atij tonit dhe tek i cili kemi detyrimet madhore, por edhe me gjerë se kaq, ku provojmë që shqiptarët nuk janë të kriminalizuar, politika në tërësinë e saj nuk është e kriminalizuar, sepse si e tillë nuk do të mund të merrte dot një operacion të tillë që do të ishte një operacion i thellë edhe në pikëpamjen morale dhe jo vetëm politike. Dhe për këto arsye të mëdha, të paktën kemi dhënë këtë mesazh pozitiv përpara opinionit publik dhe me gjerë se kaq. Mendoj që nuk është pak dhe mendoj që kemi dhënë thelbin e gjësë.

Por, njëkohësisht kemi dhënë bashkë me këtë mesazh edhe rrëzimin e triumfatorëve, sepse kjo është një betejë pa fitues. Fituesit e vetëm janë shqiptarët të cilët kanë parë më së fundmi një moment reflektimi e ku reflektimi më madhor është arritja e një mirëkuptimi më të gjerë, pra e një konsensusi siç i themi gjerësisht.

Personalisht kam besuar edhe në dhjetor kur u ngjiz rezoluta dhe marrëveshja mazhorancë – opozitë që konsensusi nuk ishte i pamundur. Dhe sigurisht edhe në sytë e publikut kjo ka qenë evidente dhe konstante dhe ka qenë një qëndrim i pandryshuar edhe i imi edhe i forcës politike që unë përfaqësoj, mbështetur mbi një premisë themelore se vetë rezoluta ishte një provë konsensusi.

Sigurisht ka qenë dëshpërim për të gjithë ne që koha që pasoi më pas ishte një pafundësi protagonizmi artificial politik. Së dyti, ishte një luftë e pafund, e fituar për fat të keq, për ta përkeqësuar imazhin e vendit dhe besoj që kësaj i është dalë më së miri. Dhe së treti, një politizim ekstrem pa shtuar asnjë fakt të ri dhe asnjë ngjarje të re nga ato që ishin konsumuar për vite të tëra dhe me muaj të tërë në sallën e Parlamentit, ku përveçse e karikuan dhe e mbushën situatën me të tjera debate dhe ofendime publike, nuk i shtuan asnjë element të ri atij.

Kësisoj humbëm kohë dhe bëmë më të keqen që mund të bënim, që në vend t’i prinim punëve tona me aksion, i primë me llafe. Teorikisht, në qoftë se do t’i përmblidhnim të gjitha çfarë bëmë në këto kohë, konsensusi ishte plotësisht i mundshëm dhe në një kohë shumë të shkurtër. Janë dashur 10 muaj për të shkruar të dy projektligjet. Po i marrim në konsideratë të dy. Koha ka qenë minimale. Vullneti ka qenë i pakët. Në momente të caktuara ka qenë i munguar dhe në momente të tjera ka qenë obstruktiv.

Kësisoj provën se si duam që politika të bëjë një instrument efektiv, e humbëm. Por fituam së paku një dimension të ri që në atë arkaizmin që na karakterizon, së paku gatuam një element mirëkuptimi, konsensusi, ndonëse i rrallë por shumë i çmuar për t’u dhënë të kuptojnë shqiptarëve që, së paku një herë të vetme kemi mundësi të merremi vesh me njëri-tjetrin dhe atë besim që ata na kanë dhënë, ta shfrytëzojmë njëherë së paku për një punë të mirë. Dhe kryevlera e kësaj gjëje është pikërisht ky konsensus. Përsa i takon asaj që ç’miratuam sot në themel, në fund të fundit në themel të gjësë është që të japim një akt dhe një veprim pastrimi. Pra do të thotë ndarje, më shumë se politike një ndarje morale, ku politika të pastrohet moralisht përpara dhe mbi çdo gjë tjetër.

Dhe së fundi, mbase e kemi ndihmuar sado pak politikën që të rikthejë diçka nga dinjiteti i saj të cilën ajo e humb, dhe po e humb në mënyrë të vazhdueshme. Duam apo nuk duam ne, politika është një mekanizëm që botërisht është ai që i qeveris vendet, në ato vende ku civilizimi së paku është dukur apo ka shkelur dhe këtu ne ndahemi qartë nga tribut. Dhe në mënyrë normale, në qoftë se historia e përbaltjes sonë pafund, pa limit, pa kufij, ecën përpara, ne nuk kemi bërë asgjë tjetër, përveçse kemi pjellë në tërësi maxhoranca dhe opozita të cilat alternojnë njëra-tjetërn, po të cilët pikërisht për shkak të këtij debati, për shkak të kësaj përbaltjeje, një përbaltje e pafund, shumë e egër, mizore, nuk ka bërë gjë tjetër përveçse ka bërë që të lindin maxhoranca dhe opozita që pavarësisht numrave elektoralë, lindin automatikisht të dobëta, jo të motivuara dhe që nuk kanë atë besim absolut që duhet të kishin sipas sasisë së votave që merrnin. Kësisoj e kemi dobësuar politikë, ia kemi humbur efektin. E kemi dobësuar peshën e fjalës “politike”. Nuk kemi bërë më që fjala politike të bëjë lajm. Të jetë në qendër të vëmendjes, të jetë objekt vendimi. Por, e kemi kthyer atë në një objekt rutinë e cila nuk prodhon asgjë.

Dhe në fund të fundit kemi humbur atë mekanizëm për të cilën partia edhe ekziston dhe ka atë detyrë të patjetërsueshme, e që do ta ketë dhe do ta shoqërojë atë në dhjetëra apo qindra vjet që të vijnë, që të jetë ajko që merr vendimet e Kuvendit. Kemi kultivuar më së miri një binom ëngjëll në opozitë-djaj në maxhorancë dhe ky alternim i vjetër, arkaik, nuk është shenjë e një politike evropiane, as e një politike të re, as e një politike që e çon vendi përpara, por ka qenë një mundësi e pafund që partia politike duke shkëmbyer debat pa fund, e përbaltje pa fund, në fund të gjësë të bëjë edhe më të keqen, të mos prodhojë aksion, të mos prodhojë veprim. Duam apo nuk duam kolegë të dashur, ne matemi këtu për aksion dhe veprimet që kryejmë, qeveritë po kështu dhe opozita po kështu.

Unë kur flas për politikën kam gjithmonë parasysh të dy pjesët e saj, nuk jam asnjëherë i prirur të shoh atë politikë që ka në fokus të saj qeverisjen e vendit, parashikoj të pa tjetërsuar nga roli i opozitës. Nuk mund të ketë një qeverisje të mirë pa një opozitë të mirë dhe anasjelltas. Por kësisoj, me tërë këtë gjullurdi të prodhuar pa fund me një pa lodhshmëri të paparë, ne vazhdojmë të mbajmë me fjalë të thjeshta të rrahim ujin në havanë, që as prodhon veprime, as prodhon aksion dhe dita jonë parlamentare nuk u lë gjë në mend qytetarëve, të cilët pasi e dëgjojnë atë ditë të thonë: kjo ngjarje e re u prodhua në të mirë të vendit, apo kjo kritikë e fortë bëri diçka pozitivisht të ndryshojë. Dhe për sa kohë nuk e bëjmë këtë, edhe salla e Parlamentit, edhe nismat që marrim, bien në humbutirën e harresës dhe në atë humbutirë e cila nuk prodhoi efekt dhe të cilën qytetari nuk e kuptoi.

Dhe për sa kohë qytetarët nuk e kuptojnë thelbin e aksionit tonë qeveritar apo opozitar, në fund të fundit politika ka humbur themelin e saj, po i rikthehem prapë, peshën e fjalës. Dhe një politikë që humbet peshën e fjalës, ka humbur thelbin e ekzistencës dhe funksionimit të saj. Sepse, sigurisht, në qindra vjet gjithmonë shtetet kanë patur edhe maxhoranca dhe opozita. Por dallimi i lulëzimit të tyre kanë qenë kur të dyja këto kanë qenë efektive. Dhe ne të dy së bashku, maxhorancë-opozitë duhet të luftonim për këtë gjë. Në mënyrë të dukshme dhe të qartë, ne sot nëpërmjet këtij mekanizmi, duke dhënë një shenjë, thashë pa rikonsensuale dhe së dyti të një pastrimi moral të fortë, i cili minimizon, thuajse e çon drejt zeros, me shpresën e mirë që kjo të ndodhë, politikën, kjo do të ndihmonte detyrimisht thashë, edhe për një qeverisje të mirë, edhe për një opozitë gjithmonë e më efektive dhe të përgjegjshme.

Kjo do të ndihmonte detyrimisht edhe për një qeverisje më të mirë dhe për një opozitë gjithmonë më efektive dhe të përgjegjshme. Ne sot jemi dakord të dyja palët, pavarësisht nga debati që bëjmë. Ndonëse sot debati mund të ishte minimal dhe mund të mos debatonim fare pasi konsumin e këtij debati e kishim bërë me muaj të tërë dhe nuk mendoj se sot shtuam ndonjë argument të ri apo ndonjë argument plus. Por, themelore ishte që dhamë një mesazh. Të paktën në këtë pikë bashkohemi të gjithë dhe vetëm për këtë gjë mund të ndihemi mirë që të gjithë. Megjithatë, që edhe kjo nismë të mos rezultojë një nismë demagogjike, shpejtësia e madhe të cilën e diskutojmë sot do të jetë një provë sinqeriteti, shpejtësia e zbatimit të tij, e përpunimit dhe e gjithë ndryshimeve që vijnë më pas të karakterit kushtetues, por jo vetëm por edhe të akteve nënligjore, që efektet e saj të jenë të dukshme, të kenë emra konkretë dhe të jenë të qarta. Në këtë mënyrë nisma do të besohet. Në rast të kundërt, nëse do të fillojë kalvari i ri që e bëjnë ligjin afektiv dhe përsëri do të vazhdojë në kohë ku përsëri do të bëjmë debate të reja dhe përsëri do të përpiqemi të gjejmë konsensus të ri pikërisht për këtë konsensus që sapo gjetëm. Konsensus mbi konsensus dhe debat mbi debat asnjeri nuk do ta besojë.

Kështu që provën e sinqeritetit e keni përpara të dyja palët. Nëse konsensusi për këtë problem që dukej shumë larg në fillim është tashmë realitet në sallën e Parlamentit, të jemi këtu që në javët që vijnë ta formësojnë me gjithë pjesët e tjera që na duhen. Dhe më së fundmi, të bëjmë akte të tjera për të rikthyer dinjitetin e e politikës sepse çdo politikan është dinjitoz pavarësisht krahut politik që rreshtohet, pavarësisht cilën vijë ideologjike përfaqëson, pavarësisht momentit kur ndodhet në mazhorancë apo në opozitë. Politika mund të jetë pa dinjitet edhe në mazhorancë edhe në opozitë. Kjo politikë nuk i duhet qytetarëve. Këtu duhet të bindemi të gjithë me njëri-tjetrin, as të mos gënjejmë veten, duke na u dukur vetja si triumfues në një krah apo në krahun tjetër. Puna jonë matet me aksionin që ne prodhojmë. Sot kemi prodhuar një veprim simbolik, i cili do të bëhet veprim i vërtetë kur njerëzit të kuptojnë vërtet ky ligj do të japë atë duhet për ata që e meritojnë, duke u dhënë të kuptojnë atyre që s’mund të jenë në funksione të caktuara sepse nuk e kanë kredon morale për të qenë atje.

Shqipëria në dukje është e vogël, por e madhe dhe me njerëz dinjitozë. Ky debat, i cili ka elemente të cilat nuk na bëjnë të ndihemi as njërës dhe tjetrës në këtë sallë. Të jetë një debat që t’i takojë së shkuarës dhe jo të ardhmes. Ne në fund të këtij debati duhet të bëjmë një ndarje mbi gjithçka bëmë, mbi gjithçka debatuam dhe të ecim përpara me një drejtim të ri sepse rikthimi, riciklimi, ridebatimi, është një gjë që nuk lë të bëjmë përpara. Me ligjin ndahemi për këtë pjesë të politikës. Kemi shumë pjesë të tjera që do të debatojmë akoma. Kemi një sfidë të madhe që është Reforma në Drejtësi. Nëse e shikojmë edhe këtë reformë si mesazh për qytetarët që politika prodhon një gjë të mirë, përsëri kemi bërë një aksion të ri të mirë dhe të gjithë bashkë do të jemi më mirë dhe me dinjitet.

Një politikë mund të ndahet dinjitoze në mazhorancë, dinjitoze në opozitë, politika shqiptare është një e tërë ose ka në tërësinë e saj dinjitet ose është pa dinjitet. Në fund, mirëkuptimi i grupit parlamentar i LSI-së është i plotë, miratimi me konsensus gjithashtu dhe bindja jonë e kahershme që konsensusi është i mundur sot ka një provë të re. Kemi të njëjtën bindje që reforma në drejtësi ka mundësinë e konsensusit por të mos ketë historinë e shëmtuar të këtij konsensusi që shpenzoi një vit, krejt të panevojshëm për t’u arritur. Kjo është një eksperiencë negative nga e cila duhet të ndahemi dhe hajde të fitojmë kohën që ta kemi më të shpejtë reformën në drejtësi, sepse qytetarët për këtë reformë na kanë vlerësuar që të gjithëve në mënyrë negative”.

Top Channel