Bylykbashi: Pakti i Ramës me krimin ka përdhosur Parlamentin

26/11/2015 00:00

Deputeti i PD, Oerd Bylykbashi ka mbajtur një fjalim të gjatë në seancën parlamentare të kësaj të enjteje, ku ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka përdhosur Parlamentin.

“Të nderuar qytetarë. Me shumë të drejtë ju mendoni se nuk mundet që në këtë sallë të parlamentit të vazhdojnë të bashkëjetojnë deputetët dhe blerësit e votës, deputetët dhe të korruptuarit, deputetët dhe kriminelët. Vetëm ta mendosh si e ka pëdhosur këtë sallë pakti i Ramës me krimin dhe pështirosesh. Nuk kanë shumë faj shqiptarët që e shohin parlamentin si tempullin e korruptuar nga e keqja.Gjendje të tillë nuk kemi patur kurrë më parë”, ka thënë Bylykbashi.

Fjalimi i plotë i deputetit demokrat:

“Fundja nuk kemi pse habitemi. Rama parlamentin nuk e ka dashur kurrë, dhe për ta futur nën kontroll, ishte gati të bënte pakt edhe me shejtanin.

Dhe ja ku jemi sot. Kriminelë në parlament, kriminelë në bashki, kriminelë në polici, kriminelë në administratë.

Para dy tre vitesh, mendoja se ishte për keqardhje madje për turp, që ne ende flisnim për standarte në zgjedhje. Sepse të flasësh për zjedhjet është si të flasësh për dyshemenë e shoqërisë demokratike, për bazën e saj, ndërkohë që duhej të kishim marrë statusin e vendit kandidat dhe hapur negociatat me kohë.

Në fakt ne sot po flasim për bodrumin e errët të politikës që kutërbon nga produkti i këtij pakti të Ramës me krimin. Kjo është edhe më e rëndë se të flasësh për zgjedhje pa standarte!

Më kujtohet se si fill pasi filluam këtë legjislaturë, i thoja një kolegut socialist se ishte e papranueshme që ministri i brendshëm udhëtontë në makinë me kriminelë në ditën e zgjedhjeve.

“Nuk ishin në të njëjtën makinë, krimineli ishte tek makina shoqëruese”. Kështu mu përgjigj kolegu socialist! Ky koleg po përpiqej, nga halli, të shfajësonte ministrin e tij.E kuptoni këtë?Është për të vënë duart në kokë e të qeshësh me ulërima se nuk qan dot.Ministri ishte më i pastër që nuk e kishte kriminelin në makinë por vetëm eskortë. Sigurisht, sot ç”nuk kanë dëgjuar shqiptarët për skafin dhe makinën e ministrit dhe kushërinjtë trafikantë. Por atëherë asgjë nga këto nuk kishte dalë ende në shesh.

Rreth 1 vit e gjysëm më parë, bisedoja përsëri me një koleg socialist, të cilin e respektoj, pikërisht për nevojën therëse për dekriminalizim të politikës. Ishte po aq i neveritur nga situata e grupit të tij sa edhe unë dhe shihte nevojën për një pastrim imediat. Para pak ditësh, kur sapo ishte arritur konsensusi më kujtoi me kënaqësi bisedën e asaj kohe.

Një kolege tjetër tmerrohej kur mendonte që nga ndërrimi i mandateve dhe përjashtimi i deputeteve gra socialiste, do ulej pranë një prej këtyre deputetëve që në CV u nxin damka e krimit të rëndë.

Të gjithë katë kolegë socialistë, ashtu si dhe të tjerë brenda grupit socialist, ishin të neveritur, nuk kanë faj për paktin e Ramës me krimin, por kanë përgjegjësi sepse nuk kishin pikën e guximit t’i dilnin përballë Ramës dhe çetës së tij me kriminelë.

Ç”mund të presësh nga një Kryeministër i tillë? Ç’mund të presësh nga një grup parlamentar që pranon ta degjenerojë opinioni publik me çdo lloj batute e akuze, por Kryeministrit nuk i del dot përballë për shumë më pak se kaq e jo më t’i rebelohet për kriminelët që ka sjellë në parlament, pushtet vendor dhe administratë?

Ç’mund të presin shqiptarët nga kjo mazhorancë që e zhytur në këtë batak kriminal,  po shqepet me tendera e konçensione të korruptuar.

Ky Kryeministër e ka kthyer qeverisjen në Sodomën dhe Gomorrën e Shqipërisë

Zullumet e njëpasnjëshme të kësaj qeverie dhe kësaj mazhorance gjoja socialiste bëjnë të turpërohet me droje çdo lloj paudhësie që mund te ketë bërë vaki në kohën tonë.

Na mburret Kryeministri për reforma! Po a nuk ia mori dorën me forcë Parlamenti Europian dhe e detyroi që të nënshkruante marrëveshjen për dekriminalizimin një vit më parë? E detyroi Parlamenti Evropian pasi për një vit rresht ky Kryeministër dhe shumë prej jush këtu mohuat që kishit kriminalizuar parlamentin dhe administratën.

Na mburret kryeministri për reforma por parlamenti po miraton ligjin për DEKRIMINALIZIMIN.Ndoshta më i ashpri ligj në Europë për dekriminalizimin.Për ç’reforma mund të mburret një qeveri kur Evropa i vë si kusht të bëjë katharsis nga krimi?

Një koleg socialist po analizonte termin DEKRIMINALIZIM. Po na mbushte mendjen se e kemi gabi, se qenkemi i vetmi vend që e përdorkemi! Po jemi i vetmi sepse kështu e bëtë këtë vend, sui generis, si askund në faqe të dheut. Tani edhe ndërkombëtarët e përdorin, sepse e mësuan prej nesh.

Para jush është drafti i këtij ligji.Ka marrë shumë kohë, mund kërkim, draftim dhe negociim.Siç ju thashë, është më i ashpri në Evropë, sepse ne jemi sui generis.

Shumëkush prej jush pyet ç’janë ato nene të Kodit Penal që përmenden me numër në të. Po ju përmend disa prej tyre:

Vrasja me dashje

Vrasja me dashje në lidhje me një krim tjetër

Vrasja me paramendim

Vrasja për gjakmarrje

Vrasja në rrethana të tjera cilësues

Vrasja e funksionarëve publikë

Vrasja e punonjësve të policisë së shtetit

Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare

Sigurimi i kushteve dhe mjeteve material për të kryer vrasje

Etj

Mazhoranca juaj pati aftësinë që vetëm në dy vjet t’i kërcënojë kaq shumë institucionet e këtij vendi duke futur kriminelë, saqë tani duhet të bëjmë ligje si për karantinë nga murtaja. Ky është një turp që nuk jua shqit njeri nga kurrizi.

U desh një vit që të arrinim në consensus.U desh një vit që ju të pranonit pothuaj gjithshka që ne propozuam që në fillim.Po pse kaq vonë?Pse e bllokuat ligjin para zgjedhjeve të 21 qershorit?Shqiptarët e dinë, por e dinë edhe ambasadorët e huaj se qëllimi i Kryeministrit ishte që të kandidonte disa kriminelë në krye të bashkive.

Keni pranuar pothuaj gjithshka që ju propozuam para një viti. Kjo është fitore politike e PD, është provë që ne ishim të drejtë që në fillim.

Por edhe për ju është positive, sepse përfundimisht ju rreshton në krahun e duhur. Ky ligj duhet të miratohet bashkarisht me konsensus jo vetëm sepse kërkon 3/5 e votave, por sepse duhet patjetër që edhe ju ta prishni paktin me krimin sepse ka plot socialistë të ndershëm që neveriten dhe turpërohen nga kjo që keni bërë.

Për Partinë Demokratike ky është një moment i rëndësishëm dhe një fitore politike historike. Është përmbyllja me sukses i një beteje dy vjeçare për dekriminalizim të politikës dhe institucioneve. Ky ligj nuk të sjell vota, por ky ligj rikthen pak dinjitet në këtë politikë.

Sigurisht, ky ligj nuk është çelësi për të bërë gjithshka më të mirë por së paku ky ligj na nxjerr nga bodrumet e politikës. Dhe ky është një hap i madh përpara. Nëse nuk do të kishit kundërshtuar kaq gjatë, këtë hap do ta kishim hedhur një vit më parë, fill pas marrëveshjes së 24 Dhjetorit 2014.

Mbi gjithshka, miratimi i ligjit të dekriminalizimit është një fitore për shqiptarët që nuk durojnë më një politikë të kriminalizuar.Por është fitore edhe për skeptikët, sepse nga kjo pikë kemi shansin të gjithë të fillojmë ekzorçizimin e të keqes nga politika.

Sot ësht një moment pët t’u gëzuar edhe për ata kolegë socialistë që janë të pështirosur po aq sa ne dhe çdo shqiptar tjetër, demokrat apo socialist.

Një rol të rëndësishëm na ka dhënë Komisioni i Venecias me raportin e tij për largimin e kriminelëve nga postet publike. Për fat të mirë dhe të keq bashkë, ky është raporti i parë i Komisionit të Venecias për këtë temë. Po pse duhej të ishim ne ata që ngacmuan nevojën për një raport të tillë?

Dua të falenderoj Ambasadorin e SHBA për mbështetjen e jashtëzakonshme për këtë process, por edhe BE, dhe ato vende të tjera mike si Italia që na dhanë ekspertizë të vyer.

Unë besoj, gjithësesi, se kjo fitore do të tretetej nëse nuk e zbatojmë këtë ligj deri në fund. Ky parlament duhet të miratojë sa më parë amendamentet kushtetuese që i hapin rrugën këtij ligji, të miratojë me konsensus këtë ligj që po debatojmë sot dhe çdo akt nënligjor.

Kryefjala tashmë nuk është as konsensusi dhe as miratimi i këtij ligji.Kryefjala e vetme është zbatimi i ligjit deri në largimin e emrit të fundit që nuk duhet të qëndrojë në poste publike.

Janari duhet të shënojë momentin kur personat me CV kriminale të mendohen mirë para se të nënshkruajnë formularin e vetdeklarimit për dekriminalizimin. Vetdeklarimi është kurthi public dhe kush e nënshkruan atë formular ta pyesë veten mirë më parë.

Nuk është çudi që shumë do të japin dorëheqjen që më parë. Por ajo që duhet të jetë e qartë është se memiratimin e këtij ligji, kush ka kryer një krim, humbet mandatin apo postin publik.

Kush preket nga ky ligj?

Ata që janë dënuar për krim të rëndë, e humbasin për jetë mundësinë të ushtrojnë një funksion publik. Shqiptarët me siguri që janë dakord

Kush ka kryer një krim zgjedhor apo korrupsion ndalohen për 20 vjet nga kryerja e burgut. Për ata që janë në detyrë sot dhe kanë kryer një krim të tillë në 20 vitet para marrjes së detyrës, largohen menjëherë  nga posti.

Kush është dënuar më shumë se dy vjet, ndalohet 10 vjet nga kryerja e burgut. Për ata që janë në detyrë sot dhe kanë kryer burg më shumë se dy vjet në periudhën 10 vjeçare para marrjes së detyrës, largohen menjëherë  nga posti.

Kush është dënuar më shumë se 6 muaj për një krim me dashje, ndalohet derisa të rehabilitohet.Për ata që janë në detyrë sot dhe kanë kryer burg më shumë se 6 muaj për një krim me dashje, humbasin postin nëse nuk janë rehabilituar ende.

Kush është dëbuar në lidhje me nje krim të rëndë nga një shtet i BE, SHBA, etj, humb postin për jo më pak se 10 vjet deri për jetë.

Kush është me masë arresti, kërkim nderkombëtar, apo dënim jopërfundimtar për një krim të rëndë, krim zgjedhor apo korrupsion, por është fshehur në Shqipëri dhe ka marrë një funksion publik, e humbet postin pa asnjë diskutim.

Kush ka kryer krimin me identitet tjetër, do të gjendet me gjurmët e gishtërinjve dhe do të largohet nga posti.

Kush ka kryer nje krim të rëndë dhe po vuan dëimin, e humbet të drejtën për të votuar deri sat ë dalë nga burgu. Këta persona që ligjin e kanë halë në sy, nuk meritojnë të kenë çdo të drejtë politike, së paku sa kohë vuajnë dënimin.

Por dua të ndalem edhe tek testi i drogës.Partia Socialiste e ka refuzuar pa pushim testin e drogës.Sigurisht, urdhëri vjen nga kreu sepse testi nxjerr në shesh një skandal.

Po flasim për antarë të qeverisë apo organeve të tjera që përdorin drogë, dhe nën efektet e saj marrin vendime për paratë, pronat dhe fatet e shqiptarëve të thjeshtë të cilëve nuk u del as të hanë bukë.

Këta persona kanë bërë betim para kushtetutës se do të zbatojnë ligjin, dhe pasi janë betuar, rendin dhe e blejnë drogën tek trafikantët e drogës. Me paratë e korrupsionit, ushqejnë bandat kriminale për të shuar varësinë nga droga.Dhe pastaj marrin vendime për shqiptarët.

A ka arsye më të mirë kjo mazhorancë për ta refuzuar testin e drogës? Sigurisht që jo! Ndaj mos u habisni të nderuar qytetarë, që testin e drogës nuk do ta pranojnë.

Po kështu nuk mund të ushtrojë një mandat kushtetues kush humbet mandatin se ka përfituar fonde publike duke qenë deputet. Por mos u habisni të nderuar qytetarë nëse socialistët refuzojnë që t’ua ndalojnë këtyre personave të zgjidhen.Këta, kur Gjykata Kushtetuese të heq mandatin për shkelje të kushtetutës, të bëjnë përsëri deputet e madje edhe ministër.

Me këtë ligj bëjmë një hap të madh përpara drejt mbrojtjes së institucioneve. Por pa luftuar edhe korrupsionin e bllokut të xhepit, paaftësinë e administratës, makutërinë e një pjese të gjyqtarëve dhe prokurorëve, fitorja është e pjesëshme dhe ende nuk do të jemi gati për në BE.

Sot është ditë shumë e rëndësishme.Kompromisi i arritur, eshtë historik për demokracinë.Partia Demokratike ngriti flamurin e kauzës së publikut, luftoi dhe fitoi këtë betejë se kauza ishte mëse e drejtë dhe urgjente.

Arsyet e kompromisit nga mazhoranca mund të jenë krejt të tjera, ndoshta presioni ndërkombëtar e ka bërë të vetën.Kjo nuk ka shumë rëndësi.

Por rëndësi ka që ligji do të miratohet dhe do fillojë një fazë e re kur kriminelët që janë sot në poste do të largohen dhe në të ardhmen nuk do guxojnë të mendojnë që mund të zgjidhen apo marin poste publike.

Ne do ta ndjekim deri në fund zbatimin e këtij ligji. Po ashtu edhe BE ka premtuar se do e ndjekë nga afër.

Ndaj, votoni këtë ligj, po mos mendoni se me kaq u mbyll. Tani vetëm sa po fillon. Ne nuk do lëshojmë pe”.

Top Channel