Kosovë, Minxhozi organizon mbrëmje për 103-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë

26/11/2015 00:00

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi ka organizuar mbrëmjen e së enjtes një pritje me rastin e 103-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Mbrëmja nisi me intonimin e himnit të Shqipërisë dhe atij të Kosovës.

Në fjalën e tij para të ftuarve, ambasadori Minxhozi tha se festa e flamurit është e të gjithë shqiptarëve dhe se nuk mund të ketë protokoll për këtë festë të madhe. Ambasadori shtoi se, Shqipëria dhe Kosova, përveç gjuhës dhe kulturës, janë një edhe për sfidat e së ardhmes, duke theksuar se dy qeveritë janë në front të parë kundër terrorizmit.

Në mes të të ftuarve, e pranishme ishte edhe Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila e vlerësoi 28 Nëntorin si ditën më të veçantë të popullit shqiptar. Presidentja Jahjaga, ndër të tjera tha se, Shqipëria e pavarur bëri të mundur edhe Kosovën shtet të pavarur dhe sovran, duke shtuar se ky shekull gjen dy vendet të rreshtuara së bashku.

Të ftuar të Ambasadës shqiptare në Kosovë, për nder të 28 Nëntorit ishin edhe kyretari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ambasadorë të akredituar në Kosovë, ministra, deputetë, përfaqësues të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Policisë së Kosovës, KFOR-it, akademikë, përfaqësues të mediave, personalitete të artit, kulturës, biznesit, e të tjerë.

Top Channel