Lezhë, 3 të ndaluar dhe 3 të proceduar për falsifikim dokumentesh

26/11/2015 00:00

Tre shtetas kanë përfunduar në pranga, po aq të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë, ndërsa një i fundit është shpallur në kërkim, të gjithë të dyshuar për veprat penale të “falsifikimit të dokumenteve” dhe “shpërdorimit të detyrës”. Ky është rezultati i operacionit të koduar “Hipoteka”, i zhvilluar nga policia e Lezhës pasditen e kësaj të enjteje.

Sipas policisë, për të mbërritur deri në këtë aksion policor janë dashur 3 muaj hetime nga sektori për Krimin Ekonomik e Financiar në Drejtorinë e Policisë së Lezhës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Kurbinit.

Të ndaluarit nga policia janë Haxhi Lika, 36-vjeçar e banues në Rubik të Mirditës, i njohur si ish-kryetar i Komisionit të Tokës në Gjorm të Kurbinit; Ndue Gega, 52-vjeçar e banues në Lezhë, me profesion topograf dhe ish-specialist në hipotekën e Bashkisë së Kurbinit; si dhe Halit Ajazi, 51-vjeçar e banues në Laç, ish-përgjegjës i sektorit të Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës në Kurbin.

Ndërkohë, të proceduar penalisht në gjendje të lirë janë shtetasit Fran Zymaj, 64 vjeç nga Laçi, ish-regjistrues në ZVRPP-në e Kurbinit; Idriz Koçi, 61 vjeç nga Laçi, ish-përfaqësues i Këshillit të Rrethit në Komisionin e ndarjes së Tokës, në Bashkinë e Kurbinit; si dhe Pashkë Leka, 55-vjeçare nga Laçi, ish-përgjegjëse e sektorit të Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës, në Kurbin.
 
Në kërkim është shtetasi Nikoll Kola, 73 vjeç, banues në Tiranë po me detyrë ish-noter në Laç gjatë vitit 2006.

Ngjarja për të cilën janë ndaluar e proceduar këta persona daton në vitin 2006, kur këta shtetas kanë falsifikuar dokumentacionin e një sipërfaqeje prej 15 mijë metrash katrorë, tokë arë, duke e kaluar pronësinë e saj nga shtetasit L.M., Gj.M. dhe F.M. në favor të shtetit, e më pas në pronësi të dy shtetasve të tjerë N.P. dhe P.C., regjistrimi i së cilës është bërë në ZVRPP-në e Kurbinit.

Top Channel