Turqi, arrestohen dy gazetarë, akuzohen për spiunazh

27/11/2015 00:00

Can Dundar, kryeredaktori i gazetës “Cumhuriyet”, si dhe një tjetër përfaqësues i kësaj të përditshme, Erdem Gul, janë vënë në pranga nga policia të enjten pasi akuzohen për spiunazh dhe tradhti.

Kjo gazetë publikoi muaj më parë fotografi të armëve për të cilat pretendonte se dërgoheshin në Siri nga Shërbimet Sekrete të Turqisë. Nëse do të shpallen fajtorët, ata rrezikojnë të dënohen me burgim të përjetshëm.

Në raportin e publikuar në këtë gazetë turke në muajin maj pretendohej se Organizata Kombëtare për Inteligjencë e Turqisë (MTI) kontrabandonte armë me kamionë drejt Sirisë. Supozohet se këto kamionë ishin ndaluar dhe bastisur nga Policia, ndërsa fotografitë e aksionit ishin publikuar nga “Cumhuriyet”.

Pas publikimit të raportit, qeveria turke u mbrojt duke thënë se kamionët mbanin ndihma për pakicën turkmene në Siri.

Lidhur me këtë rast, Presidenti Erdogan ngriti edhe nja padi kundër kësaj të përditshme.

“Ky dokument është një akt spiunazhi. Kushdo që e shkroi këtë histori do të paguajë një çmim të rëndë”, tha Erdogan pas publikimit.

Ty gazetarët në fjalë janë akuzuar për spiunazh dhe se kanë ndihmuar lëvizjen e Fethullah Gylen, i cili më parë ka qenë një aleatë i ngushtë i Erdogan, por tani kjo lëvizje është konsideruar si organizatë terroriste nga qeveria turke.

“Ata na pyesin se pse e publikuam këtë histori. Historia e gazetarisë është e mbushur me shembuj të shumtë të tillë si si ‘Watergate’ apo ‘Wikileaks’. Kjo është për të mirën e përbashkët, për ta nxjerrë atë në dritë”, tha Dundar.

Turqia është përballur me kritika të ashpra mbi lirinë e shtypit. Ajo renditet e 149 në mesin e 180 vendeve në raportin “Indeksi i Lirisë së Shtypit në Botë”.

Top Channel