Përkujtohen viktimat e Parisit, në shërbesë edhe Presidenti Hollande

27/11/2015 11:25

Një minutë heshtjeje, e më pas emrat e 130 viktimave të sulmeve të dy javëve më parë në Paris, u lexuan një për një nga Presidenti, Francois Hollande.

Homazhi, për ata që humbën jetën në ngjarjen tragjike të 13 nëntorit, ishte pjesë e shërbesës përkujtimore të mbajtur në zemrën e kryeqytetin francez, e të ndjekur nga i gjithë vendi. Rreth 1.000 vetë ishin mbledhur në ceremoni, ku në krah të titullareve qëndronin edhe të mbijetuar të sulmeve, e të afërm të viktimave.

Në fjalimin e tij, Hollande përmendi sërish angazhimin e Francës për të luftuar terrorizmin me çdo kusht.

“Franca do të bëjë çdo gjë që të jetë e mundur, për të shkatërruar këtë ushtri fanatikësh. Do të hidhet në veprim pa ngurrimin më të vogël, për të mbrojtur fëmijët e saj. Do të jemi të pamëshirshëm. E meqenëse shënjestra e sulmeve ishte një sallë koncertesh e një stadium, Franca do të përgjigjet me më shumë muzikë, më shumë koncerte dhe evente sportive”, tha Hollande.

Sulmet e koordinuara të 13 nëntorit ishin më të rëndat në historinë e Francës së ditëve tona. Persona të armatosur hapën zjarr në bare e restorante, të tjerë mësynë teatrin Bataclan, ku vranë 89 vetë, ndërsa 3 kamikazë hodhën veten në erë pranë “Stade de France”, ku luhej një ndeshje miqësore mes Frances e Gjermanisë.

350 ishin të plagosurit, një pjesë e të cilëve rëndë. Presidenti Hollande u kërkoi qytetarëve në mbarë vendin, të vendosnin në shtëpitë e tyre objekte me ngjyrat e flamurit kombëtar, një gjest simbolik për të treguar se, në këtë mënyrë, të gjithë francezët do të bëheshin pjesë e ceremonive të sotme.

Megjithatë, disa familjarë të viktimave nuk iu bashkuan shërbesës së mbajtur në kompleksin e madh, që strehon muzeun ushtarak dhe varrin e Napoleonit. Njëri prej tyre u tha mediave franceze se, arsyeja e refuzimit është bindja se autoritetet nuk bënë sa duhet për të mbrojtur vendin, pas një vale të mëhershme sulmesh, e cila duhej të shërbente si paralajmërim.

Top Channel