Sistemi i adresave, Tahiri: Rëndësi për ekonominë dhe proceset zgjedhore

27/11/2015 11:40

Ministria e Brendshme ka prezantuar nisjen e hartimit të regjistrit të adresave në vend. Duke shpjeguar nevojën që lidh një adresar me komunitetin, ministri i Brendshëm tha se, mungesa ka qenë një shteg për manipulim të zgjedhjeve.

“Jemi mësuar gjithë këto kohë të dimë se ka njerëz të identifikuar që votojnë në këtë kuti, ka njerëz të identifikuar në letër, që duhet të votojnë në këtë kuti. Se janë emigrantë apo jo, se janë njerëz që u ka ngelur banesa në letra tek ajo qendër votimi, po ndërkohë janë në një qytet tjetër, se janë njerëz që nuk ekzistojnë, kjo nuk dihet. Kjo cënon parimet e sistemit zgjedhor”, tha ministri Tahiri.

Të dhënat e fundit të adresave të shqiptarëve datojnë në 2007-n. Për Tahirin, kjo ka ndikuar drejtpërdrejt në shërbimin, që institucionet duhet t’u japin qyetarëve.

“Më kryesoret janë ato që kanë të bëjnë me shërbimet që merr qytetari, supozoj për regjistrimin e pasurisë; më kryesoret janë ato që kanë të bëjnë me sistemin e drejtësisë, qoftë për çështje civile, prona dhe kështu me radhë, qoftë edhe për çështje penale, pasi nuk çon dot fletëthirrje në gjyq, sepse s’ka si ta gjejë postieri se ku banon”, tha më tej Tahiri.

Projekti do të nisë në janar të 2016-s dhe do të përfundojë në mesin e vitit 2017.

Top Channel