F1, Mercedesi dominon provat e para të lira në Abu Dabi

27/11/2015 12:50

Mercedesi e nis duke dominuar fundjavën e Çmimit të Madh të Abu Dabit. Skuadra gjermane ishte fituese e provave të para të lira në pistën e Jas Marinës, ku ai që shkëlqeu ishte Lewis Hamilton.

Piloti britanik e përshkoi pistën në këtë sesion të paradites me kohën 1 minutë 43 sekonda e 754 të mijëtat, duke lënë pas shokun e tij të skuadrës, Nico Rosberg. Ky i fundit shënoi një kohë prej 141 të mijtat më shumë se Hamilton.

Siç ka ndodhur shpesh gjatë këtij Botërori të Formulës 1, Ferrari është ajo që ndjek më pranë Mercedesin. Këtë radhë ishte Kimi Raikkonen ai që u shfaq më mirë sesa Sebastian Vettel, me finlandezin që shënoi kohën e tretë më të mirë, edhe pse ai pati një problem me njësinë e fuqisë së motorit të makinës së tij. 

Raikkonen e mbylli këtë sesion të parë të provave të lira me 7 të dhjetat më shumë se Hamilton.

Nuk shkoi më shumë se vendi i pestë gjermani Vettel, koha e të cilit ishte rreth 1 sekondë më e lartë se ajo e Hamiltonit. Katër herë kampioni i botës pa që të shfaqej më i shpejtë se ai në provat e para të lira edhe Daniel Ricciardo, me australianin e Red Bullit që u rendit në vendin e katërt.

Top Channel