Red Bull, Horner: Kemi gjetur motor për vitin 2016

27/11/2015 12:55

Qëndrimi i Red Bullit në Botërorin e Formulës 1 është i garantuar. Kjo është ajo që ka deklaruar menaxheri i skuadrës austriake Christian Horner, duke konfirmuar se Red Bulli tashmë e ka gjetur kompaninë furnizuese me motorë për vitin 2016, por pa e përmendur emrin e saj.

“Kemi arritur marrëveshjen me një kompani që na garanton furnizimin me motorë vitin e ardhshëm dhe në ditët e ardhshme do të zyrtarizojmë gjithçka. Kjo do të thotë se Red Bulli do të jetë në Botërorin e Formulës 1 në vitin 2016. Kontrata tashmë është firmosur, por ende nuk mund të bëjmë të ditur se për cilën kompani bëhet fjalë”, tha Horner.

Red Bulli prej muajsh ishte në kërkim të një firme për furnizimin me motorë, pasi vendosi të zgjidhë kontratën me Renault. Mercedes dhe Ferrari ishin fillimisht opsionet për skuadrën gjermane, por të dyja këto kompani e refuzuan mundësinë për ta ndihmuar atë, duke bërë që Red Bulli të vijojë kërkimet e tij për të mos i thënë lamtumirën Botërorit të Formulës 1.

Top Channel