Standardet e reja, korsi për biçikleta e autobusë në rrugën “Dritan Hoxha”

27/11/2015 00:00

Hyrja e Tiranës ka një pamje tjetër dhe një rrugë sipas të gjitha standardeve, që ofron një balancim të korsive të automjeteve, me qytetarët që përdorin transportin publik, biçikletat apo trotuaret.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në përurimin e rrugës “Dritan Hoxha” ka zgjedhur të pedalojë me biçikletë, së bashku me një grup të rinjsh, duke përshkruar të gjithë korsinë e dedikuar për ta.

Kryebashkiaku Veliaj njoftoi se, rruga “Dritan Hoxha” është me 6 korsi, nga të cilat 3 janë për automjete, një për autobus, një për biçikletë dhe një për këmbësorët.

“Ne besojmë se, një qytet i mirë nuk është ai, ku çdo njeri ka makinë dhe të pasurit kanë makina të shtrenjta, por ai ku çdo njeri, pavarësisht nëse është i pasur apo në gjendje jo të mirë ekonomike, të ketë mundësi të ndihet i barabartë. Duke i dhënë 3 korsi këmbësorëve, çiklistëve dhe atyre që përdorin transportin publik, po japim edhe vizionin tonë se cili është qyteti që duam të ndërtojmë dhe qyteti ku besojmë”, tha Veliaj.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës njoftoi se, ky sistem i paraprin reformës në transportin publik.

“Vitin tjetër do të kemi një sistem të ri të linjave të autobusëve dhe sistem elektronik të biletës, që do të favorizojë studentët dhe pensionistët. Ky fillim i ri, i kësaj arterie të korsive të dedikuara të autobusëve e biçikletave, i paraprin dhe projektit për modernizimin e transportit publik”, deklaroi Veliaj.

Top Channel