Incidenti ajror, Rusia bllokon prodhimet turke: Nuk plotësojnë standardet tona

27/11/2015 00:00

Menjëherë pas incidentit të avionit rus, Vladimir Putin paralajmëroi se, për Turqinë do të ketë pasoja serioze.

Masat, me sa duket, do të nisin nga ekonomia: kryeministri rus Dmitry Medvedev e bëri të qartë se, nga episodi që vuri dy vendet në kurs përplasjeje me njëri-tjetrin mund të preken produktet ushqimore, interesat turke në Rusi, si dhe një numër i konsiderueshëm projektesh të përbashkëta për investime.

Turqia dhe Rusia kanë mes tyre lidhje të rëndësishme ekonomike; Moska është partnerja e dytë më e madhe tregtare e Ankarasë, ndërsa Turqia përbën njërin prej destinacioneve të huaja më të rëndësishme për turistët rusë. E megjithatë, pasojat e para pas incidentit të së martës, përveç se në rrafshin diplomatik, kanë nisur të ndihen edhe në këtë drejtim.

Moska po ashpërson kontrollet mbi të gjitha ushqimet e importuara nga Turqia, e deklaroi së fundi se, 15% e tyre nuk përmbushin standardet e saj. Kjo nuk është hera e parë, që Moska përdor sigurinë e ushqimit, si mënyrë për të shprehur pakënaqësinë apo zemërimin  e saj ndaj një shteti të huaj.

Duke cituar rreziqet për shëndetin e konsumatorëve, Moska ndaloi verën gjeorgjiane në 2006-n, pikërisht në kohën kur vendi po shfaqte një qëndrim gjithmonë e më properëndimor, si dhe ambicie për anëtarësim në NATO.

7 vite më vonë i takoi Ukrainës. Zyrtarët rusë dolën përsëri me teorinë e rrezikut shëndetësor, kur njoftuan bllokimin e ëmbëlsirave e çokollatave nga Ukraina. Edhe në atë rast, vendimi i Moskës eci krah për krah me përpjekjet e Kievit për afrim me Perëndimin.

Në 2014-n i erdhi radha vet produkteve të këtij të fundit, kur, e acaruar nga sanksionet e përbashkëta amerikano-europiane ndaj saj për shkak të krizës ukrainase, Moska vendosi të shkatërronte sasi të mëdha djathi, proshute, frutash apo mallrash të tjerë të importuar nga vendet perëndimore.

Top Channel