Prishtinë, një seri alarmesh për bombë çorodisin policinë

27/11/2015 00:00

Policia e Kosovës është përballur mesditën e së premtes me një seri alarmesh për bombë në pika të ndryshme të kryeqytetit.

Pjesëtarë të Policisë së Kosovës që kujdesen për sigurinë e objekteve të ambasadave kanë thirrur njësitet përkatëse të ndërhyrjes, pasi kanë zbuluar një qese të dyshimtë pranë Ambasadës së Shqipërisë, në lagjen Pejton, në qendër të Prishtinës.

Florie Ahmeti nga zyra për informim e Policisë në Prishtinë tha përmes telefonit për Top Channel se, pas kontrollit të objektit dhe zonës përreth ambasadës, policia nuk ka konstatuar asnjë rrezik.

Po ashtu, gjatë ditës policia ka marrë edhe një thirrje telefonike nga një qytetar, i cili i njoftonte për bomba të vendosura në tri supermarkete të së njëtës kompani në Kosovë.

Policia menjëherë ka dalë në vendet e dyshuara në lagjet Veternik, Dardania dhe Mati 1 dhe ka evakuar nga marketet të gjithë konsumatorët dhe punonjësit që ndodheshin atje gjatë kohës së alarmit.

Por, po sipas zyrtares për informim, sërish agjentët nuk kanë gjetur asnjë mjet të dyshimtë dhe pas përfundimit të kontrolleve kanë hapur një hetim për identifikimin e autorëve të telefonatave, ndaj të cilëve do të ngrejë akuzën e “lajmërimit të rremë”.

Policia ka dyshime se alarmet për bombë në të njëjtin rrjet marketesh mund të kenë lidhje me uljet që kjo kompani kishte reklamuar për këtë të premte. 

Top Channel