“Durrës-Kukës“ kërkon sërish parà, debate qeveri-opozitë për investimet

27/11/2015 00:00

Gjashtë vite pas përurimit zyrtar, rritja e faturës për rrugën “Durrës-Kukës” nuk ka të ndalur.

“Ka thithur nga paratë e shqiptarëve rreth 1,4 miliardë deri më sot dhe nuk ka mbaruar. Në një përllogaritje paraprake që ka bërë Komisioni Europian për ta standardizuar segmentin Durrës-Morinë, duhen të paktën edhe 160 milionë euro”, është shprehur ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj.

Qeveria po tenton, që mirëmbajtjen e rrugës t’ia kalojë me koncesion privatit, por sipas Ahmetajt, as kjo nuk ka për ta zgjidhur mungesën e financimit.

“Ka një tender në proces, i cili parashikon investime modeste për mirëmbajtje intensive. Nuk e dimë sesi do të dalë, por po ju them se, edhe sikur tenderi të mbyllet me sukses, përsëri ajo rrugë është e papërfunduar dhe, e theksoj, kërkon edhe 160 mln euro të tjera së paku, të cilat nuk i kemi”, deklaroi ministri Ahmetaj.

* Qeveria pretendon se do të ruajë një nivel të lartë të investimeve publike, edhe pse në të njëjtën kohë bën të mundur uljen e borxhit.

“Do të investohet 5,1 për qind e PBB-së dhe është një sukses i drejtpërdrejtë dhe i koordinuar me uljen drastike të deficitit”, tha më tej Ahmetaj.

Por opozita thotë se shifra e investimeve publike është fryrë artificialisht, pasi qeveria ka përfshirë në të subvencionet për KESH-in dhe fondet, që janë të lidhura me realizimin e të ardhurave nga dividenti, që sipas saj është i pamundur.

“Niveli i investimeve publike është në minimumin historik në raport me PBB-në, i barabartë me atë të vitit 1997, vetëm 4%”, tha ish-ministri i Financave, Bode.

Veç vëllimit, opozita akuzon se qeveria ka cënuar edhe cilësinë e investimeve, duke i orientuar ato në projekte pa efekt për ekonominë.

“Harxhohen 700 milionë dollarë investime publike në vit, një kantier ndërtimi nuk ka funksional në territorin e vendit”, deklaroi më tej Bode.

“83 për qind e investimeve shkojnë në projekte në vazhdim. 17% janë projekte të reja”, u kundërpërgjigj Ahmetaj.

“Struktura e investimeve publike është rritur drejt blerjeve, makineri-pajisje, helikopterë dhe avionë, që nuk lënë gjë në ekonominë e vendit”, replikoi sërish Bode.

“Duhet t’u themi shqiptarëve që po zbatojmë një kontratë të lidhur në vitin 2007-2008, apo pak më vonë, të prokuruar nga ju dhe që duhet zbatuar, përndryshe merr penalitete”, tha kreu i Komisionit parlamentar të Ekonomisë, Erion Braçe.

Shpenzimet e buxhetit të ardhshëm do të jenë mbi 452 miliardë lekë, prej të cilave 417 miliardë vijnë nga të ardhurat, ndërsa pjesa tjetër janë huamarrje.

Top Channel