F1 në Abu Dhabi, Vettel këndon duke garuar

27/11/2015 00:00

Nuk ka dyshim se, një nga momentet që adhurojnë më shumë dashamirësit e Formulës 1 janë pjesët e padukshme; një prej tyre është edhe komunikimi nëpërmjet radios.

Në të shumtën e rasteve jemi mësuar me urdhra apo të dhëna, që pilotët marrin nga skuadra. Shpesh edhe ankesat e tyre për probleme që hasin. Por, mund të ndodhë edhe si në rastin e Sebastian Vettel.

Mëngjesin e së premtes, në provat e para të lira të Çmimit të Madh të Abu Dhabit, gjermani është shprehur në komunikimin e tij në radio se, kishte harruar diçka pa bërë në mëngjes. Dhe, pas pak çastesh filloi të këndonte në italisht një urim për ditëlindje.

Kjo mënyrë festimi i dedikohej inxhinierit të tij të pistës, Riccardo Adami. Me inxhinierin Adami, Vettel ka një histori shumë të vjetër, e cila nis që në kohën kur ai pilotonte me Toro Rosson.

Rrugët e tyre u kryqëzuan këtë sezon sërish, teksa Ferrari e kish pajtuar inxhinierin breshian, pas largimit të italianit tjetër, Andrea Stella, i cili u transferua së bashku me spanjollin Fernando Alonso te McLaren.

Top Channel