Siguria në Euro 2016, ja masat që pritet të merren

27/11/2015 00:00

Tifozët shqiptarë që kanë planifikuar të shikojnë nga afër ndeshjet e Kombëtares në Europianin e 2016-s do të përballen me kontrolle si në aeroporte, si pjesë e planit të sigurisë.

Mediat brtianike raportojnë se masat e sigurisë që pritet të merren gjatë Europianit të verës së ardhshme do të jenë në qendër të axhendës së takimit të 10 dhjetorit që Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s do të mbajë në Paris.

Pas sulmeve të 13 nëntorit në Paris ku 130 vetë humbën jetën, tashmë asnjë masë sigurimi nuk përjashtohet, kjo edhe për faktin se disa prej sulmeve ndodhën shumë pranë “Stade de France”.

Besohet se një person para se të hyjë në stadium për të zënë vendin e tij në tribunë do t’i kërkohet pasporta ose mjet tjetër identifikimi për të vërtetuar nëse bileta i përket atij, një gjë jo shumë e re kjo për tifozët shqiptarë të cilët e kanë një eksperiencë të tillë edhe në ndeshjet e Kombëtares në “Elbasa Arena”.

Po ashtu, do t’i nënshtrohen kontrolleve me detektorë, ndërsa me shumë mundësi edhe kontrolle nga policët. Po ashtu, nëse personi ka çantë ose një gjë tjetër me vete, do t’i kërkohet që ta hap në mënyrë që edhe ajo t’i nënshtrohet një kontrolli të detajuar.

Gjithashtu, do të jenë edhe skanerët e zakonshëm të cilët do të identifikojnë menjëherë një person nëse ka ndonjë gjë metalike në brez. UEFA do të kërkojë që të ketë sa më shumë kamera në mënyrë që të mos mbetet asnjë kënd i pa mbuluar dhe një staf që do të jetë gjithmonë vigjilent për të kapur ndonjë gjë të dyshimtë.

Top Channel