Erdogan paralajmëron Putin: Mos luaj me zjarrin

27/11/2015 17:40

Presidenti turk Recep Tayip Erdogan ka paralajmëruar homologun rus Vladimir Putin që të mos “luajë me zjarrin”, duke iu referuar këtu vendit të tij pas rrëzimit të avionit rus.

Në një fjalim televiziv, Erdogan deklaroi se, “Rusia luan me zjarrin kur sulmon opozitën siriane, që gëzon legjitimitet ndërkombëtar, nën pretekstin se po lufton Daeshin”.

Ai tha gjithashtu se, Moska po luan me zjarrin edhe në rastin aktual, kur sipas tij po përdor rrëzimin e avionit të saj si një pretekst për të ngritur “akuza të papranueshme ndaj nesh”.

Ai e akuzoi qeverinë ruse për keqtrajtim të qytetarëve turq që ndodheshin në Rusi për arsye biznesi.

Megjithatë, Erdogan tha se dëshiron ta takojë kokë më kokë presidentin Putin në bisedimet për klimën që do të zhvillohen javën e ardhshme në Paris për të zgjidhur problemin mes dy vendeve.

“Do të më pëlqente ta çoja çështjen në një pikë të arsyeshme. Ne jemi të shqetësuar që ajo është përshkallëzuar”, vijoi më tej presidenti turk.

E ndërsa refuzoi të kërkonte falje, ai një ditë më parë tha se, nëse Turqia do ta kishte ditur që avioni ishte rus, “ndoshta do ta kishte paralajmëruar atë ndryshe”.

Por deklarata e Turqisë se nuk ishte në dijeni që avioni ishte rus është hedhur poshtë nga presidenti Putin, që tha se, avioni mund të identifikohej fare lehtë dhe se koordinatat i ishin kaluar aleatit të Turqisë, Shteteve të Bashkuara.

Dhe tashmë, Moska zyrtare i ka nisur sanksionet e saj fillimisht me ndalimin e produkteve turke me argumentin se nuk plotësojnë standardet e më pas me anulimin e paketave turistike dhe, më e rëndësishmja, kthimin e regjimit të vizave.

Top Channel