PD në Lezhë: Më 8 dhjetor të ngremë siparin e revoltave

27/11/2015 18:25

Gara për krerët e FRPD-së vijoi këtë të premte në Lezhë, ku tre kandidatët shpalosën strategjinë e tyre për fuqizimin e Forumit, me qëllim angazhimin e tij në sfidat për shpëtimin e Shqipërisë, sipas tyre, nga kriza ku ndodhet.

Në fjalën e tij, i ngarkuari i kryesisë, deputeti Ridvan Bode u shpreh se kjo garë ringre dhe konfirmon besimin e të gjithë të rinjve shqiptarë tek liria, demokracia dhe vlerat e shtetit të së drejtës.

“Vendi po përjeton ngjarje të rënda me varfëri e papunësi të lartë dhe eksod masiv. Energjia rinore duhet t’i paraprijë ndryshimit të kësaj klike sundimtarësh”, tha Bode.

Tre kandidatët shpallën më tej qëndrimet edhe për temën e ditës “Ligji i arsimit të lartë dhe pasojat tek të rinjtë shqiptarë”.

Ata dhe të rinjtë lezhianë shprehën gjithashtu vullnetin e tyre për pjesëmarrje të jashtëzakonshme në protestën e 8 dhjetorit, për të cilën thanë se do të çelë siparin e revoltave mbarëkombëtare kundër qeverisjes dhe “mazhorancës së krizës dhe krimit”.

Top Channel