Tensionimi i situatës, Rusia rikthen regjimin e vizave me Turqinë

27/11/2015 00:00

Pas masave që ndërmori për prodhimet e Turqisë menjëherë pas rrëzimit të avionit, Rusia vendosi që të rikthejë që nga 1 janari i vitit të ardhshëm edhe vizat për të gjithë shtetasit turq.

Ministri i Jashtëm Sergei Lavrov deklaroi se Moska do të pezullojë regjimin pa viza me Turqinë për shkak të rreziqeve që sipas tij vijnë nga ky vend.

“Kërcënimet nga Turqia  janë mjaft reale. Luftëtarë të Shtetit Islamik tani po kalojnë nëpërmjet Turqisë. Rusia është mjaft e shqetësuar për rritjen e kërcënimeve terroriste dhe kjo është e lidhur drejtpërdrejt me sigurinë e Rusisë dhe qytetarëve të saj”, deklaroi Lavrov.

Këto masa nxiten edhe reagimin e presidentit turk Tajip Erdogan, i cili paralajmëroi Moskën që “të mos luajë me zjarrin”. Erdogan i cilësoi këto veprime si një hakmarrje emocionale dhe të pahijshme të Rusisë, ndërsa kritikoi në veçanti keqtrajtimin e shtetasve turq nga autoritetet ruse, duke iu referuar këtu arrestimit të enjten të 39 biznesmenëve turq, “si hakmarrje për rrëzimin e avionit”.

Erdogan u përpoq t’i telefononte homologut Putin, por krau i tij i djathtë deklaroi se arsyeja që nuk iu përgjigjën thirrjes së presidentit turk ishte se ky i fundit nuk ka kërkuar falje për incidentin e rrëzimit të avionit.

Por pavarësisht tensioneve që vetëm rriten, Erdogan shprehu vullnetin për komunikim të mëtejshëm mes tyre. “Në të vërtetë ne u kushtojmë shumë rëndësi marrëdhënieve me Rusinë dhe nuk duam që këto relata të prishen. Shpresoj ta takoj Putin javën e ardhshme në samitin e klimës në Paris”, tha Erdogan.

Ndërkohë, kryeministri rus Dmitri Medvedev u dha ministrave të tij dy ditë kohë për të hartuar një plan që do të kufizojë bashkëpunimin me kompanitë turke.

Në rrjedhën e versioneve të ndryshme për këtë incident, Ministria ruse e Mbrojtjes publikoi prova të reja që sipas saj provojnë fajin e Turqisë. Komandanti i përgjithshëm i Forcave Ajrore Ruse zbuloi një hartë që tregon qartazi se avioni rus “Su-24” fluturonte në qiellin e Sirisë në kohën kur u godit nga turqit.

Viktor Bondarev tha se dy pilotët kishin hyrë në zonën ajrore prej ku duhej të vepronin për të eleminuar militantët dhe objektivat që ndodheshin aty. Sipas të dhënave të reja të monitorimit, bombarduesi rus nuk e kishte kaluar kufirin turk.

Top Channel