Elbasan, policia finalizon aksionin; kapet banda e karburanteve

27/11/2015 22:40

Agjentë të policisë së Cërrikut, të ndihmuar nga kolegët e Drejtorisë së Elbasanit, kanë finalizuar këtë të premte operacionin e koduar me emrin “Trojas”, përmes të cilit janë zbardhur dhe dokumentuar 4 vjedhje me armë të ndodhura së fundmi në qarkun e Elbasanit.

Sipas një njoftimi për shtyp të drejtorisë lokale të policisë, uniformat blu kanë vënë në pranga autorin kryesor të grabitjeve dhe një prej bashkëpunëtorëve të tij, të cilët përdornin gjithmonë maska.

Bëhet fjalë për shtetasit Ligjërim Qosja dhe Analdo Balashi, përkatësisht 28 dhe 18 vjeç, të dy banues në fshatin Shalës të Cërrikut.

Sipas burimeve, 28-vjeçari Qosja rezulton i dënuar më parë në shtetin grek për veprën penale të “vrasjes”. Ndërkohë, po punohet për kapjen e grabitësit të tretë, shtetasin e identifikuar me inicialet E.G, 19 vjeç dhe nga e njëjta zonë.

Grupi vinte në shënjestër aktivitetet tregtare dhe kryesisht pikat e karburantëve, duke detyruar punonjësit nën kërcnëimin e armëve që të dorëzonin paratë.

Në banesën e Ligjërim Qoses janë sekuestruar pikërisht arma dhe maskat që ka përdorur për vjedhjet, që rezultojnë të jenë 4 dhe të kryera në periudhën tetor-nëntor 2015.

Konkretisht policia ka sekuestruar: një pushkë model 54, 6 fishekë, një thikë, 2 maska, 2 celularë të tipit “Nokia”, një tjetër celular “LG”, si dhe rrobat e përdorura në ngjarjet e mësipërme.

Top Channel