Nëntori, muaji i shqiptarëve në Kanada

28/11/2015 00:20

Nëntori do të jetë muaji i Shqipërisë në Ontario të Kanadasë. Një projektligj i hartuar nga shoqatat e Bashkësisë Shqiptaro-Kanadeze, është paraqitur më parë në parlamentin e Ontarios.

“Më 19 nëntor të këtij viti u bë për herë të parë projektligji për shpalljen e muajt nëntor si muajin e trashëgimisë shqiptare në Ontario. Projektligji u lexua nga Laura Albanese, një bashkëpunëtore e jona. Ky ligj është produkt i shoqatës Shqiptaro-Kanadeze në Toronto me një histori 25-vjeçare. Pas leximit të ligjit, atë ditë u zhvillua një aktivitet brenda në Parlament, ku morën pjesë të gjitha shoqatat dhe nga strukturat kryesore të Ontarios, por jo vetëm. Të pranishëm në këtë aktivitet pati edhe ministra dhe figura të tjera të larta”, shprehet Ruki Kondaj, Presidente nderi e Shoqatës së Bashkësisë Shqiptaro-Kanadeze.

Ruki Kondaj, Presidente Nderi e Shoqatës së Bashkësisë Shqiptaro-Kanadeze, tregon se tashme çdo ditë të muajit nëntor, shqiptarët do kenë aktivitetet e tyre në Ontario.

“Shoqata Shqiptaro-Kanadeze ka të drejtën që të bashkëpunojë me të gjithë aktorët në Ontario për të festuar në muajin nëntor me mënyra nga më të ndryshmet. Ne kemi mundësi të shpalosim trashëgiminë tonë kulturore, ta bëjmë pjesë të mozaikut multikulturor kanadez dhe ta pasurojmë atë. Qëllimi jonë nuk është vetëm të mbajmë gjuhën e traditën tonë, por edhe të bëhemi pjesë e këtij mozaiku të Kanadasë. Në çdo datë të këtij muaji ne mund të zhvillojmë parakalime, parada e koncerte dhe nuk kemi nevojë të marrim leje”, thotë Kondaj.

Por si ishte rruga deri në këtë projektligj të depozituar  në parlament nga deputetja kanadeze, Laura Albanese?

Pas italianëve, në Toronto e Ontario jemi ne shqiptarët që kemi tashmë një projektligj për të gjithë muajin nëntor. Kjo është një ide e lindur dy vite më parë. Më pas një ditë të bukur, së bashku me një nga bashkëpunëtorët e mi të ngushtë, shkuam në zyrën e Laurës për të parë më tepër procedurat ligjore. Ne ishim informuar se këto gjëra legalizohen, por ata kanë shumë ligje dhe që të mos prisnim në radhë duhet t’ja jepnim dikujt që ka më pak ligje dhe këtë na e mori në dorë Laura. Ajo na sugjeroi që këtë ta bëjmë një muaj e jo një ditë, si ne e kishim menduar”, shprehet presidentja e nderit në Shoqatën e Bashkësisë Shqiptaro-Kanadeze.

Shqiptarët në Kanada organizojnë shumë aktivitete, por ato kulmojnë çdo vit me festën e Pavarësisë.

Top Channel