Platforma e BE-së kundër terrorizmit

28/11/2015 09:30

Bashkimi Europian synon të përforcojë masat e sigurisë kundër terrorizmit përmes një plani me pesë pika kryesore, ku përfshihet një kontroll më i rreptë dhe i imtësishëm i botës së internetit, regjistrim i të dhënave të personave që hyjnë në vendet e BE-së përmes fluturimeve dhe vendosja e këtyre të dhënave në dispozicion të policisë në çdo kohë që forcat e sigurisë e shikojnë të arsyeshme.

Objektivi është miratimi i këtyre dy pikave brenda këtij viti dhe tri pikave të tjera maksimumi në muajt e parë të 2016-ës.

Interneti, ashtu siç treguan sulmet mbi zyrat e Charlie Hebdo dhe ato të dy javëve më parë në Paris, është instrumenti kryesor i përdorur për rekrutimin e elementëve me prirje radikale dhe më pas radikalizimin e tyre.

Për këtë, Bashkimi Europian ka gati një platformë të emërtuar “European Union IT”. Kjo platformë do të diskutohet më 3 dhjetor mes ministrave të Brendshëm të BE-së dhe gjigantëve të internetit si Tëitter, Facebook, Microsoft, Apple e të tjera. Objekt i këtij takimi do të jetë gjetja e një rruge për t’u dhënë dorë të lirë forcave të sigurisë që të kontrollojnë edhe bisedat private të një përdoruesi të vënë nën hetim.

Një tjetër pikë është përforcimi i kontrolleve të fluturimeve ajrore. Platforma antiterrorizëm e BE-së parashikon grumbullimin, ruajtjen dhe vendosjen në dispozicion të forcave të sigurisë të të dhënave për të gjithë shtetasit që hyjnë në Union nga vende të treta.

Pjesë e propozimeve është edhe hartimi i procedurave të unifikuara dhe standarde për të gjitha vendet e BE-së për të luftuar trafikun e armëve luftarake në Bashkimin Europian.   

Top Channel