Përurohet zyra e Fondit të Zhvillimit në Vlorë

28/11/2015 00:00

Kryeministri Edi Rama ka shfrytëzuar festimet e 103-vjetorit të Pavarësisë për të përuruar në Vlorë zyrën e Fondit Shqiptar të Zhvillimit.

“Kjo zyrë do të funksionojë edhe në rajonet e tjera për të vazhduar vënien në jetë të një sërë projektesh që kanë nisur dhe do të nisin vitin e ardhshëm; projekte strategjike për ekonominë, turizmin dhe komunitetin dhe për komunitetin në gjithë territorin që përfshin bregdetin e Jonit. Unë jam shumë shpresplotë që me ecurinë e këtyre projkteve, edhe qytetet që me të drejtë janë përgjithësisht të paduruar pas 20 e kusur vitesh zhgënjimesh, pastaj si vlonjatë janë të paduruar prej shekujsh dhe mijëvjeçarësh, qëkur kanë ardhur në këtë botë me energji dhe inat të madh të mund të prekin nga afër arsyet konkrete dhe veprat konkrete për të cilat jemi kaq të lidhur me njëri-tjetrin në këtë territor”, deklaroi mes të tjerash, kryeministri Edi Rama.

Kryeministri tha se përmes këtyre investimeve qeveria synon transferimin e Vlorës si një nga qendrat më të rëndësishme ekonomike të vendit.

“Une dua të siguroj qytetarët e Vlorës dhe gjithë rajonit se Vlora dhe ky rajon mbetet një prioritet strategjik dhe pavarësisht vështirësive që ka kalimi  nga një periudhë kaosi, informaliteti, ndërtimesh pa leje, rrumpalle territoriale, në një epokë tërësisht të re. Të gjitha këto vështirësi do t’i kalojmë së bashku”, shtoi Rama.
 
Fondi Shqiptar i Zhvillimit mbështet me fonde investimi njësitë vendore dhe komunitetet për zhvillimin e infrastrukturës. 

Top Channel