Kosovë, aktivitete për nder të 28 Nëntorit

28/11/2015 00:00

Qytetarët e Kosovës  mëngjesin e së shtunës kanë nisur festën për nder të 103-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Rrugët kryesore të Prishtinës janë veshur kuq e zi, ndërsa në sheshet kryesore të kryeqytetit janë zhvilluar aktivitete të ndryshme nën organizimin e Komunës së Prishtinës.

Në sheshin “Nënë Tereza” tre artistë të rinj kanë paraqitur një ekspozitë të veçantë me kulla shqiptare, të realizuara në skulpturë.

Kullat shqiptare u vizituan nga shumë qytetarë, e sidomos nga fëmijët, të cilët realizuan fotografi si dhe recituan poezi për ditën e flamurit në këndin e fëmijëve që e ka përgatitur Komuna e Prishtinës.

Edhe panairi “Blej Shqip” është vizituar nga shumë qytetarë të cilët kanë pasur mundësi të shohin dhe blejnë vetëm produkte shqiptare.

Për festën e flamurit kombëtar u diskutua edhe në një ceremoni të organizuar nga komuna në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë.

“Ne duhet të zotohemi, jo vetëm më 28 Nëntor, por edhe çdo ditë të vitit si shqiptarë, si politikanë, që të punojmë me gjithë qenien tonë edhe për Republikën edhe për gjithë kombin shqiptar. Jo pse mendojmë se jemi superiorë ndaj të tjerëve, por sepse mendojmë se duhet të jemi të barabartë me të tjerët”, u shpreh Ahmeti.

“Ngjarja historike e 28 Nëntorit 1912 do të ishte tepër e vështirë për t’u realizuar, pa përkrahjen dhe pjesëmarrjen e shqiptarëve të Kosovës si Isa Boletini, Idriz Seferi, Hasan Prishtna dhe qindra të tjerë. Ishin pikërisht këta burra, dikush me pushkë e dikush me pendë që bënë të mundur dhe njëherë vëllazërimin e kombit, jo vetëm në luftë për mbrojtjen e kufijve, por edhe në Kuvendin e Vlorës me në krye Ismail Qemalin”, tha prefekti i Tiranës, Sadi Vorpsi.

Për nder të 28 Nëntorit edhe këtë vit burrat me mustaqe kanë ruajtur traditën, ku dhjetëra të rinj, bënë një shëtitje nga Ministria e Kulturës deri te sheshi “Skënderbe”.

Ndërsa të rinjtë e Partisë Demokratike të Kosovës kanë vendosur para shtatores së Ismail Qemalit në Prishtinë pllakën e Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë.

Aktivitete për nder të ditës së flamurit kombëtar ka pasur edhe në të gjitha qytetet e tjera të Kosovës.

Top Channel