Prishtinë, mbyllet pa incidente protesta e opozitës

28/11/2015 00:00

Mijëra qytetarë të Kosovës kanë marrë pjesë në protestën e ftuar nga tri subjektet opozitare në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, për të kundërshtuar marrëveshjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe atë për demarkacionin me Malin e Zi.

Në mesin e protestuesve ishte edhe deputeti i Vetëvendosjes Albin Kurti, i cili edhe pse ka një fletëarrest është paraqitur në foltore dhe ka mbajtur fjalim para qytetarëve, duke përsëritur kundërshtimin ndaj marrëveshjeve që i ka nënshkruar qeveria e Kosovës me Serbinë dhe me Malin e Zi.

“Vetëm me këtë flamurin e kuq, me shkabën e zezë krenare në mes, ne mund të avancojmë e mund të përparojmë në të ardhmen tonë edhe më fuqishëm se në historinë tonë. Por kurrësesi nuk mund të ecim përpara me atë flamurin lara-lara që e kanë nxjerrë nga qesja këta tregtarë flamujsh, që e uzurpuan shtetin dhe pushtetin për t’u pasuruar vetë e për të ndihmuar Serbinë”, deklaroi Kurti.

Edhe liderët e tri subjekteve opozitare, Visar Ymeri, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj i bënë thirrje kryeministrit Isa Mustafa dhe zëvendëskryeministrit Hashim Thaçi që të tërhiqen nga marrëveshjet e nënshkruara, pasi sipas tyre ato marrëveshje dëmotjnë Kosovën.

“Ne sot jemi këtu të gjithë së bashku për të dërguar mesazhin tonë të fuqishëm se jemi kundër këtyre dy marrëveshjeve të cilat pakësojnë territorin e Kosovës dhe pakësojnë sovranitetin e vendit tonë”, tha Limaj.

“Pushteti na ka nxjerrë në rrugë, sepse dëshiron ta bëjë Serbinë zot shtëpie në Kosovë. Na ka detyruar të përdorim gaz, se dëshiron t’i falë tokë Malit të Zi. Ne i themi jo, se Kosova është një e s’bëhet dy. Pushteti po na burgos e po na thyen dyert vetëm që të pajtohemi me marrëveshjet e tij. Ne i themi jo. S’kemi as tokë për të falur e as nuk kemi ndërmend ta lëmë Serbinë të kthehet”, u shpreh Haradinaj.

“Pushteti po na copëton sërish. Po na i zvogëlon trojet, po na i sjell Serbinë në Kosovë përmes Zajednicës, po na e çon Kosovën në Serbi përmes marrëveshjeve të padrejta dhe të pabarabarta. Po ia fal tokat tona Malit të Zi. Prandaj ky pushtet është i padrejtë”, theksoi nga ana tjetër Ymeri.

Pas fjalimeve të liderëve opozitarë, manifestimi mbyll pa asnjë incident, ndërkohë mësohet se policia janë vënë menjëherë në kërkim për arrestimin e deputetit Albin Kurti i cili kërkohet për hedhjen e gazit lotsjellës dhe sprejit në Kuvendin e Kosovës.

Ndërkohë, mënjehrë pas portestës, përmes një deklarate, Policia e Kosovës thënës se nuk kanë arrestuar Albin Kurtin bazuar në vlerësimet e situatës dhe me qëllim të mos eskalimit të situatës.

Sipas një komunikate të lëshuar nga tri subjektet opozitare, numri i qytetarëve në manifestimin protestues ka qenë rreth 35 mijë.

Top Channel