Basha: Shqipëria, nën tiraninë e varfërisë dhe padrejtësisë

28/11/2015 17:00

Lulzim Basha priti pasditen e 28 Nëntorit për të nderuar Ditën e Flamurit. Pritja kishte një simbolikë. Në të njëjtën kohë, 103 vjet me parë, Ismail Qemali shpalli pavarësinë e Shqipërisë dhe ngriti në Vlorë flamurin kuqezi të shtetit shqiptar.

Pas më shumë se një shekull, kreu i opozitës ishte shumë i ashpër kur foli për “vënie në rrezik” të vlerave shtetformuese në Shqipëri.

“Shembulli i Ismail bej Vlorës, shembujt e bashkëluftëtarëve të tij që shkrinë gjithçka për pavarësinë e Shqipërisë, që sakrifikuan jetët e tyre, pasuritë e tyre. Për fat të keq, sot bie në kontrast të thellë me sjelljet anti-shtetare dhe atyre që në kurriz të shtetit shqiptar, e të qytetarëve shqiptarë jo vetëm që nuk japin por marrin pasuritë publike të shqiptarëve. Qoftë kjo ditë një ditë e madhe qe të bashkojë shqiptarët në një vullnet të ri për t’iu rikthyer shembujve shtetformues të Ismail bej Vlorës e themeltarëve të tjerë të shtetit të pavarur shqiptar, e për të lartësuar edhe njëherë virtytin, duke mundur njëherë e përgjithmonë vesin dhe krimin e ngritur në sistem”, deklaroi Basha.

Më 28 Nëntor, demorkatët festojnë edhe Ditën e Çlirimit. Megjithëse mungoi ceremoniali zyrtar, përfaqësuesit e opozitës bënë homazhe tek monumenti Nëna Shqipëri.

Festa e Flamurit dhe e Çlirimit për opozitën është një kushtrim për bashkimin e shqiptarëve rreth idealeve të atyre që sakrifikuan jetën për lartësimin e kombit dhe vlerave më të larta që frymëzon liria.

Top Channel