28 Nëntori, festojnë shqiptarët e Maqedonisë; PDSH-BDI “shkrijnë akujt”

28/11/2015 00:00

Flamujt kuqezi kanë stolisur rrugët dhe ballkonet nëpër qytetet e banuara me shqiptarë në Maqedoni. 103-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë dhe Dita e Flamurit është shënuar me aktivitete të ndryshme.

Në Shkup, mesditën e së shtunës u mbajt një akademi solemne me rastin e 28 Nëntorit. Në këtë event, kreu i BDI-së Ali Ahmeti tha se kohërat për shqiptarët kanë ndryshuar në favor të tyre.

“Këto kohëra t’i shfrytëzojmë në avancimin e mëtejshëm të çështjes shqiptare, duke rrumbullakosur të drejtën e pamohueshme dhe të pakontestueshme për barazi mes dy komuniteteve më të mëdha në Maqedoni, midis maqedonasve dhe shqiptarëve”, deklaroi Ahmeti.

Festa e Flamurit dhe Pavarësisë duket se ka shkrirë akujt të paktën në këtë ditë, mes drejtuesve të partive rivale shqiptare në Maqedoni.

Kryetari i PDSH-së Menduh Thaçi dhe nënkryetari i BDI-së Nevzad Bejta janë parë të ulur pranë njëri-tjetrit në manifestimin e organizuar në fshatin Reçan të Gostivarit, ku u shpalos përmendorja e heroit Aqif Reçani.

“Nuk guxojmë t’i zbehim këto figura dhe nuk guxojmë ta zbehim festën e gjithë shqiptarëve, 28 Nëntorin. Besoj se ju do t’i bindni të gjithë shqiptarët se këto buste duhet gradualisht duhet të lëvizin drejt qendrës së Gostivarit, Tetovës dhe Shkupit”, tha Thaçi.

Me rastin e kësaj dite, aktivitete të ndryshme janë organizuar edhe nëpër shkolla në gjuhën shqipe, ndërsa nuk kanë munguar as marshimet nëpër rrugë me flamuj kuqezi.

Top Channel