87 arrestime, Policia e Kosovës: U detyruam të përdornim forcën

28/11/2015 19:10

Policia e Kosovës ka sqaruar përmes një komunikate për shtyp se ka qenë e detyruara të marrë masa të forta ndaj aktivistëve të lëvizjes Vetëvendosje.

Policia sqaron se, pasi në protestën e mbajtur ka vënë re Albin Kurtin dhe disa bashkëpunëtorë të tij të kërkuar ka vendosur të procedojë me arrestimin e tyre.

Për këtë arsye, “policia është detyruar të marrë masat e nevojshme si rrethimi i selisë së Vetëvendosjes dhe ndalimin e të kërkuarve”.

“Një grup prej disa personash ka qëndruar para selisë duke protestuar dhe penguar agjentët e policisë në realizimin e detyrave të tyre ligjore dhe për rrjedhojë janë arrestuar disa persona të dhunshëm që ishin brenda në ndërtesë dhe që kanë hedhur objekte të forta ndaj efektivëve, duke plagosur disa prej tyre”, thuhet në komunikatë.

Sipas njoftimit, objektet e përdorura nga aktivistët kanë qenë shkopinj, karrike, tavolina dhe mjete metalike.

Më pas, vijon dokumenti i policisë, agjentët arritën ta lokalizojnë, arrestojnë dhe ta shoqërojnë për në komisariatin përkatës Albin Kurtin, ndaj të cilit ishte lëshuar një urdhër-arrest.

Në fund të njoftimit saktësohet se, policia ka nisur tashmë koordinimin me prokurorinë për procedimin e personave të arrestuar, që rezultojnë të jenë 87 vetë.

Top Channel