Ermonela Jaho shkëlqen në Londër

28/11/2015 00:00

Ylli i muzikës operistike shqiptare e njohur në mbarë botën, Ermonela Jaho performoi të premten në mbrëmje në operan RARA, në Barbikan të Londrës, veprën operistike “Zaza“.

Bëhet fjalë për veprën e kompozitorit italian Ruggero Leoncavallo, e cila është një opera ultra-melodike, e interpretuar për herë të parë në vitin 1900 në Milano.

Këtë herë, kjo opera e vështirë, sipas specialistëve të muzikës, është regjistruar në bashkëpunim me orkestrën e mirënjohur simfonike të BBC.

Opera londineze “RARA”, e cila është një kompani e specilizuar në regjistrimin e operave që nuk janë pjesë e repertorit të përditshëmë të teatrove, dukshëm ka qenë e impresionuar nga suksesi i operas tjetër “Sour Angelica”, e kënduar dhe regjistruar nga sopranoja shqiptare dy vite më parë.

Duke folur për Top-Channel në Londër, Jaho tha se, “kjo opera është tejet sfiduese, sepse është shumë e pasur harmonikisht, me shumë ngjyra, që japin të gjitha anët e një artisti në këtë rast, të personazhit kryesor, Zaza, një këngëtare franceze”.

Eventi muzikor ishte reklamuar gjerësisht në median britanike, si në “The Sunday Times” dhe faqen online të BBC dhe në një intervistë të sopranos në BBC 3.

Ermonela Jaho, sopranoja më e njohur shqiptare vitet e fundit, ka pasur një akivitetet të ngjeshur këtë vit nëpër skenat më të mëdha të artit klasik botëror.

Ajo rikthehet në muajin shkurt në Londër në Operan Mbretërore, në Covent Garden, ku sipas kritikëve të artit, ajo njohu suksesin më të madh të karrierës me Triptikun e Pucinit, në rolin e Sour Angelica.

Top Channel