“Ndalni bombardimin e Sirisë”, protesta në Londër dhe Madrid

29/11/2015 00:00

Aktivistë kundër luftërave kanë zbritur nëpër rrugët e Londrës gjatë së shtunës, teksa Britania përgatitet për të ndërmarrë veprime ushtarake kundër Shtetit Islamik, në Siri. Demonstruesit refuzuan me çdo kusht vijimin e mëtejshëm të sulmeve ajrore të Mbretërisë së Bashkuar, që janë duke u zhvilluar aktualisht në Irak.

Por, qeveria konservatore e kryeministrit David Cameron shpreson të marrë “dritën jeshile” nga parlamentarët sa më shpejt të jetë e mundur, ndoshta që nga java e ardhshme.

“Jemi kundër planit të David Cameron për të hedhur në votim në Parlament bombardimet në Siri”, tha Lindsey German, nga koalicioni “Ndaleni luftën”. “Bombardime të ngjashme janë duke u zhvilluar prej më shumë se një viti nga forcat tona ajrore. Aktualisht, Siria është duke u bombarduar nga dy superfuqitë më të mëdha ushtarake të botës, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia”.

Ndërkohë, një periudhë tepër e ngjeshur dhe e tensionuar është edhe për kreun e opozitës, Jeremi Corbyn. Kjo sepse, ndërsa veterani i së majtës kundërshton personalisht sulmet ajrore në Siri, partia e tij parlamentare është thellësisht e përçarë.

Raportimet e fundit sugjerojnë se disa prej kolegëve të tij janë të gatshëm të japin dorëheqjen, nëse do të detyroheshin me forcë të votonin kundër bombardimeve. Disa të tjerë thuhet se do të kërkojnë dorëheqjen e Corbyn në lidhje me këtë çështje.

Edhe pse Spanja nuk ka plane të afërta për t’u përfshirë në këtë luftë, protestues paqësorë në Madrid u mblodhën gjithashtu të shtunën, të vendosur për të thënë fjalën e tyre kur dihet se ka mbetur më pak se një muaj kohë nga zgjedhjet e përgjithshme të vendit.

“Jam këtu, sepse nuk e dua luftën. Mendoj se dhuna gjeneron vetëm dhunë”, tha Maria Munoz, një rezidente në kryeqytetin spanjoll. “Nuk mendoj se dhuna është mënyra e duhur për t’i zgjidhur problemet”.

Çfarë duhet bërë apo nuk duhet bërë në Siri, është një çështje që është kthyer në tepër urgjente për të gjithë Europën, kryesisht pas sulmeve terroriste të këtij muaji në Paris, përgjegjësinë e të cilave e mori përsipër ISIS.

Top Channel