Thiago Silva: Dua ta mbyll karrierën te PSG

29/11/2015 12:25

Thiago Silva nuk ka ndërmend të largohet nga Franca. Mbrojtësi brazilian, në përfundim të ndeshjes mes Paris Saint Germain dhe Troyes deklaroi se dëshira e tij është që të mbyllë karrierën në kryeqytetin francez, pasi ai dhe familja e tij ndihen shumë mirë aty.

“E dua Parisin, ashtu sikurse dua edhe Rio de Zhaneiron. Në Paris jeton familja ime. Bëhet fjalë për  një qytet të madh, ku janë të gjitha kushtet për të bërë një jetesë të mirë. Nëse edhe presidenti do të jetë dakord, do të mbyll karrierën te PSG”, tha qendërmbrojtësi brazilian.

PSG, pas suksesit me Troyes, u shpall kampione e dimrit, pasi diferenca me skuadrën e vendit të dytë shkoi në 15 pikë kur kanë mbetur edhe 4 javë nga mbyllja e fazës së parë të kampionatit. Por Tiago Silva deklaroi se sezoni nuk është mbyllur ende.

“Në këtë moment nuk ka shumë konkurrencë në kampionatin francez, por kampionati është ende i gjatë dhe pas pushimeve dimërore ne do të duhet të mendojmë sërish për Ligën e Kampioneve“, u shpreh Thiago Silva.

Top Channel