Prishtinë, publikohen sendet e sekuestruara në zyrat e VV-së

29/11/2015 17:00

Policia e Kosovës të dielën ka publikuar sendet e konfiskuara gjatë basitsjes së njësiteve speciale të Kosovës në zyrat qendrore të Lëvizjes Vetëvendosje.

Drejtuesi i zyrës për informim në Policinë së Kosovës, Baki Kelani në konferencë për media ka thënë se në zyrat e Vetëvendosjes kanë gjetur shufra metalike, mjete të mprehta për shpimin e gomave, maska kunder gazit lotsjellës, radiolidhje për komunikim, plumba gome, bojëra dhe një sasi substance në formë pluhuri për të cilën priten ekzaminimet për ta përcaktuar përmbajtjen, si dhe gjëra të tjera.

“Mjetet të cilat janë konfiskuar nga Policia e Kosovës janë mjete që disa prej tyre hynë në kategorinë A të armëve të zjarrit dhe janë mjete mjaft të rrezikshme duke përfshirë edhe pajisjet të tjera që janë konfiskuar si dëshmi dhe prova materiale. Ju i patë edhe vetë, në bazë të incizimeve që me të vërtetë janë mjete të rrezikshme që në disa raste nëse përdoren mund të konsiderohen si mjete vdekjeprurëse”, u shpreh Krelani.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, i pyetur lidhur me këto mjete të gjetura në zyrat e tyre, në konferencë për media, ka thënë se bombolat e gazit lotsjellës janë marrë nga lëvizja për t’u përdorë si dëshmi për ndërhyrjet e mëhershme të policisë.

“Policia ka kryer bastisjen këtu vetëm me pjestarët e saj. Ne nuk e dimë ende saktësisht se çfarë kanë nxjerrë nga zyra ata. Unë mund të them që në zyrat e Lëvizjes Vetëvendosje ne kemi pasur disa prej bombolave të gazit lotsjellës të përdorura nga Policia, të cilat i kemi ruajtur për dëshmi për intervenimet e policisë”, u shpreh Ymeri.

Ymeri ka shtuar se të shtunën është dëshmuar që në Kosovë kemi qeveri policore, duke e cilësuar ndërhyrjen si akt të paprecedent.

Komunikatë për media lidhur me zhvillimet e së shtunës kanë dërguar Presidenca dhe qeveria e Kosovës, të cilat kanë vlerësuar mbarëvajtjen e manifestimit të partive opozitare.

Presidentja Jahjaga ka bërë thirrje thirrje për vendosjen e dialogut politik ndërmjet të gjitha subjekteve politike të vendit, me qëllim të shmangies së përdorimit të dhunës dhe të imponimeve si mjet të zgjidhjes, që rrjedhimisht siguron rendin demokratik në vend.

Ndërsa në komunikatën e qeverisë thuhet se janë të gatshëm të bisedojnë me opozitën lidhur me shqetësimet e tyre, duke shtuar se janë në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese rreth Asociacionit.

Qeveria e ka cilësuar si të papranueshëm përdorimin e dy marrëveshjeve për qëllime politike. Ndërsa lidhur me ndërhyrjen e Policisë së Kosovës, në komunikatë thuhet se qeveria i jep mbështetje të plotë, duke theksuar asnjëherë nuk ndërhynë në organet e drejtësisë.
Ndërsa, Ambasadat e Francës, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe SHBA-së kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët. “Jemi të kënaqur që protestat ishin paqësore dhe duam t’i përgëzojmë të gjithë, e sidomos përfshierjen e Policisë së Kosovës”, thuhet në deklaratë.

Palët ftohen të dialogojnë, ndërsa vihet theksi te fakti që askush nuk është mbi ligjin dhe se këto përfaqësi të huaja presin dhe kërkojnë “që të gjitha procedurat të përcillen me përpikmëri, duke i shërbyer transparancës e sidomos në rastet e ndjeshme politike dhe ne do të vazhdojmë të përcjellim nga afër rastet ku përfshihen anëtarët e Kuvendit”.

“Ashtu siç është rasti në shtetet tona, presim që në demokracinë  e barabartë për të gjithë edhe përfaqësuesit politik t’i nënshtrohen ligjit pa marrë parasysh cilës parti ata i takojnë”, përfundon deklarata e përbashkët.

FOTO GALERI
1/7

Top Channel