Papa Françesku në një zonë lufte, vizitë në Afrikën Qendrore

29/11/2015 00:00

Papa Françesku u bë Papa i parë në historinë e dekadave të fundit, i cili ka vizituar një zonë lufte.

Destinacioni i Atit të Shenjtë ishte pikërisht Afrika Qendrore, ku vetë ai tha se ishte një “shtegtar të paqes dhe apostull i shpresës”.

Afrika Qendrore ka qenë e përfshirë në luftën civile mes pakicës myslimane dhe shumicës krishtere, që prej marsit të vitit 2013. Mijëra njerëz janë vrarë, rreth 1 milion njerëz të zhvendosur, dhe shume prona janë plaçkitur dhe shkatërruar. Ndërkohë që numërohen mijëra akte dhune, të cilat kanë shënuar shkelje të të drejtave të njeriut.

Papa Françesku shprehu besimin e tij se zgjedhjet që do të mbahen muajin e ardhshëm do të shënojnë hapjen e një kapitulli të ri për vendin.

Vizita e Papës në Bangui ka qenë një çështje e diskutueshme për një kohë të gjatë nga zyrtarët e Vatikanit për shkak të shqetësimeve për sigurinë e Atit të Shenjte. Por vizita e liderit shpirtëror të Vatikanit nuk do të zgjasë shumë, në axhendën e tij përfshihet edhe një takim me udhëheqësit e komuniteteve fetare.

Lufta ka gjunjëzuar Republikën e Afrikës Qendrore prej dekadash, por vetëm dy vitet e fundit luftimet kanë marrë formë fetare. Presidenti Fransua Bozize u rrëzua në një grusht shteti në mars të vitit 2013 dhe një grup i përbërë nga rebelë myslimanë nga veriu, Seleka, marshoi në Bangui, duke marrë për një kohë kontrollin e vendit.

Top Channel