Turqia i afrohet BE-së; Brukseli jep fonde e lehtësira në shkëmbim të refugjatëve

29/11/2015 21:30

U mbyll pas 4 orë bisedimesh, samiti i 28 krerëve të bllokut europian dhe kryeministrit turk, Ahmet Davutoglu, një takim i fokusuar i gjithi te bashkëpunimi mbi krizën e emigrantëve, që vërshojnë pareshtur, sidomos nga Siria.

“Këtë të hënë u hodh një hap i ri përpara, – ishte deklarata e Angela Merkelit, – megjithatë mbetet ende shumë për të bërë”. Për Kancelaren gjermane, rezultatet ishin inkurajuese, ndërsa një plan veprimi u miratua në unanimitet.

Kreu i ekzekutivit turk foli, nga ana tjetër, për temën që i intereson më shumë Turqisë: afrimin me BE-në, duke e cilësuar të dielën si ditë historike, në procesin e anëtarësimit dhe marrëdhëniet e vendit të tij me Bashkimin Europian.

“Të gjithë kolegët e mi në Europë e pranojnë se, anëtarësimi i Turqisë do të ishte një aset jo vetëm për BE-në, apo vet vendin, por edhe për paqen nëpër botë. Sa për ngërçin e emigrantëve, ne jemi duke paguar çmimin e dështimit të sistemit të OKB-së, që nuk e zgjidhi problemin e Sirisë në fazat e mëhershme të krizes”, tha Ahmet Davutoglu, kryeministër i Turqisë.

Në bazë të marrëveshjes së arritur në vazhdën e përpjekjeve për të vënë nën kontroll fluksin e emigrantëve të dyndur drejt kontinentit të vjetër, Ankaraja do të marrë 3 miliardë euro dhe lëshime të shumta politike, në këmbim të forcimit të kufijve të saj dhe mbajtjes së refugjatëve brenda Turqisë.

Entuziazmi i Davutoglusë nuk ishte i kotë; ndër zotimet e marra në samitin e Brukselit ishte dhe ai i ripërtëritjes së bisedimeve të bllokuara për anëtarësimin e vendit në BE.

Turqia është shpallur se përmbush kriteret për anëtarësim që në vitin 1997 dhe, zyrtarisht, procesin e aderimit e ka nisur në 2005-n. Marrëveshja e së dielës u lejon qytetarëve turq udhëtimin pa viza në vendet e zonës së “Schengen”-it, duke nisur nga tetori i 2016-s.

Rregullat në fuqi, megjithatë, do të lehtësohen vetëm nëse Ankaraja përmbush disa kushte të caktuara, e nëse u qëndron deri në fund zotimeve të saj. Më shumë se 720 mijë emigrantë kanë mbërritur këtë vit në brigjet greke, pjesa dërrmuese të nisur pikërisht nga Turqia.

Top Channel