Kosovë, dështon seanca e Kuvendit; VV: Do bllokojmë edhe sallën alternative

30/11/2015 00:00

Deputetët e opozitës kosovare ndërprenë me gaz lotsjellës edhe seancën e sotme në Kuvendin e Kosovës. Gazi u hodh nga deputeti i Vetëvendosjes, Smajl Kurteshi dhe Haxhi Shala nga Nisma.

Menjeherë, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli i çoi deputetët në pushim dhe thirri një mbledhje të kryesisë, ku u vendos që të hidhet në votim pezullimi i deputetëve të opozitës. Kjo ka shkaktuar reagimin e deputetës së VV-së, Aida Dërguti, e cila tha se ky propozim nga shefat e grupeve parlamentare të pozitës është i paligjshëm.

“Mund të përjashtosh një deputet, por jo të gjithë”, ka thënë ajo pas mbledhjes së kryesisë. Pas vendimit për rifillimin  e seancës, sigurimi bllokoi deputetët e e opozitës në mjediset e hollit të Kuvendit. Opozita ka paralajmëruar protesta nëse ndodh përjashtimi.

“Sjellja e pushtetit, hyrja në selinë e VV-së me policë, mbajtja e seancave me policë është shtet policor. S’ka normalitet pa i anuluar marrëveshjet. Kundërshtim deri në anulim të marrëveshjes”, ka thënë Haradinaj pas seancës së mëngjesit.

Gjatë kontrollit në hyrje të Kuvendit, policia arrestoi në flagrancë me dy boça gazi, deputetin e VV-së, Fisnik Ismaili. Autorit të obeliksut të pavarësisë “Newborn” iu caktua masa e paraburgimit prej 48 orësh.

Shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca ka deklaruar se, nuk mund të ketë një zhvillim normal të jetës parlamentare pas arrestimit të Albin Kurtit ditën e shtunë.

”Ky pushtet po tenton ta shtypë opozitën me dhunë. Këta kanë marrë masa policore shtesë në Kuvend. Ne nuk do ta lejojmë mbajtjen e seancave të Kuvendit. Arrestimi i Albin Kurtit ishte fundi i demokracisë”, ka thënë Konjufca.

Ndërsa kryetari i VV, Visar Ymeri ka deklaruar pas ndërprerjes se do të bllokojnë edhe seancën në sallën alternative.

Ndërkohë, kryetari i Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj ka deklaruar se, sot Kosova po përballet me regjimin represiv të qeverisë së saj.

“Qeveria u tremb nga protesta e së shtunës. Sot në Kosovë kemi një regjim që burgos opozitën për shkak të qëndrimit ndryshe. Kjo është logjika e një shteti represiv”, ka deklaruar Limaj.

Më herët, në hyrje të selisë së Kuvendit u ndalua deputeti i Vetëvendosjes, Fisnik Ismajli, pasi gjatë kontrollit atij iu gjet në zotërim një mjet i dyshimtë.

Situata e rënduar ka detyruar kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli të mbledhë sërish kryesinë, për të vendosur se çfarë do të bëhet më tej. Mësohet se në këtë mbledhje është lejuar prania e deputetes së Vetëvendosjes, Aida Dërguti.

Top Channel