Gjatë publikimit të bisedave të përgjuara telefonike, drejtuesi i partisë opozitare maqedonase LSDM-së, Zoran Zaev disa herë me radhë kishte premtuar se pjesët e papublikuara të të ashtuquajturave “bomba” do t’ia dorëzonte prokurores speciale, Katiça Janeva.

Por edhe pse sipas ligjit për mbrojtjen e privatësisë që doli nga Marrëveshja e Përzhinos, të gjithë ata që disponojnë materiale duhet t’i dorëzojnë tek prokurori përkatës brenda 20 ditëve, nga LSDM-ja nuk përgjigjen se kur do të dorëzohen materialet e zotëruara nga Zaevi, se ku ruhen ato dhe kush ka qasje tek ato.

Vetë Zaev publikisht ka pranuar se mes materialeve që ai ka janë edhe ato për çështje shumë të ndjeshme si rasti i televizionit A1, rasti i vrasjes së pesëfishtë te liqeni Smilkovcit, si dhe ngjarjet e  Kumanovës.

Edhe pse afati për dorëzimin e këtyre materialeve skadon të martën, Zaevit nuk i kanoset rreziku nga ndonjë dënim në rast të mosdorëzimit, ngaqë ligji nuk parashikon sanksione për shkelësit e tij.

Pak ditë më parë, Zaev bëri lajm me deklaratën e tij në samitin rajonal të mbajtur në Lubjanë, kur tha se ngjarja e Kumanovës ishte e ngjashme me atë të atentatorëve të 13 nëntorit në Paris, ndryshe nga sa kishte deklaruar më parë se, e gjithë ngjarja kishte qenë një sajesë e qeverisë Gruevski për të mbuluar aferat e tij.

Top Channel