Dërgohet në Moskë trupi i pilotit të vrarë rus

30/11/2015 00:00

Trupi i pilotit rus të vrarë në Turqi është dërguar me avion në Moskë. Nisja e  arkëmortit të kolonel lejtnant Oleg Peshkov u bë nga aeroporti ndërkombëtar Esenboga në Ankara pas një ceremonie ushtarake.

Pavarësisht nderimit të bërë pilotit, tensionet mes dy vendeve vazhdojnë të mbeten tejet të larta me kryeministrin turk që deklaroi së fundi se nuk do të ketë asnjë apologji nga Turqia për faktin që mbrojti hapësirën e saj ajrore dhe me kokefortësinë e Putinit për të mos e takuar homologun turk Rexhep Tajip Erdogan gjatë samitit të klimës në Paris.

Ahmet Davutoglu deklaroi më herët se trupi i pilotit, i dorëzuar autoriteteve turke nga  rebelët e komunitetit etnik turkmen të Sirisë, ishte trajtuar në përputhje me traditën e krishterë ortodokse. Nuk ka ende një sqarim zyrtar mbi rrethanat e vdekjes së Peshkovit, që vazhdojnë të mbeten të paqarta, ndërsa rebelët turkmenë i qëndrojnë pretendimeve se pilotin e qëlluan ata pasi ishte hedhur me parashutë nga avioni i goditur në ajër prej F16-tave turq.

Top Channel