Grupi më i madh i “hacker”-ave në botë, “Armada Colectiv”, ka kryer një sulm kibernetik prej gati 45 minutash ndaj 3 bankave greke, gjatë së enjtes dhe së premtes së kaluar.

Lajmi publikohet nga të gjitha mediat greke, sipas të cilave çështja është tepër serioze, pasi me të po merren përveç Shërbimit Informativ kombëtar të Greqise, edhe Departamenti i Krimit Elektronik i policisë, si dhe FBI-ja me CIA-n, ndërsa me interes të veçantë i ndjek hetimet edhe vet Presidenti amerikan, Barack Obama.

“Hacker”-at në fjalë thuhet se janë një grup rusësh dhe kinezësh, të shpërndarë në vende të ndryshme të botës, dhe që sulmojnë banka të ndryshme. Në fillim kanë çuar mijëra mesazhe elektronike, duke bllokuar përkohësisht sistemet elektronike të këtyre bankave.

Më pas u kanë dhënë afat 3 institucioneve financiare greke, që në rast se deri mbrëmjen e së hënës nuk japin 700 bitcoins, të barazvlefshme me 250 mijë euro, atëherë do të vjedhin të dhënat e klientëve të tyre, e më pas do të shkatërrojnë tërësisht sistemet kompjuterike bankare.

Për fat të mirë, siç informon Banka e Greqisë, “hacker”-at nuk kanë arritur të marrin parà dhe as nuk kanë mundur të shkaktojnë dëme në llogaritë bankare, pasi kanë funksionuar më së miri sistemet mbrojtëse elektronike.

Grupi në fjalë i “hacker”-ave ka sulmuar në shkurt të këtij viti edhe sistemin bankar të një banke në Ukrainë dhe, pasi ajo nuk pranoi të paguante “haraçin”, ata ndërhynë te bankomatet (ATM), të cilat filluan të nxirrnin parà automatikisht.

Prej 2013-s, ata kanë sulmuar mbi 30 banka në të gjithë botën.

Sipas burimeve qeveritare greke thuhet se, sulmet kibernetike ndaj bankave të vendit kanë filluar që në shkurt të këtij viti, kur për disa orë u krijuan probleme në shkëmbimet online nëpërmjet “ëeb banking”.

Çështja e sulmit ndaj bankave është diskutuar në një mbledhje urgjente të qeverisë, ditën e shtunë dhe mëngjesin e së hënës, me pjesëmarrjen edhe të një grupi ekspertësh për sigurinë kibernetike.

Top Channel