Kaosi në Kosovë, Lunaçek: Arrestimi i Kurtit, në kohën e papërshtatshme

30/11/2015 00:00

Nënkryetarja e Parlamentit Europian dhe raportuesja për Kosovën, Ulrike Lunaçek ka komentuar situatën e fundit politike në Kosovë, si dhe tensionet në rritje mes opozitës dhe Qeverisë, lidhur me marrëveshjet për Asociacionin me Serbinë dhe demarkacionin me Malin e Zi.

Lunaçek ka thënë për “Kosovapress” se, arrestimi i deputetit Albin Kurti dhe aktivistëve të tjerë është bërë në kohën e papërshtatshme. Ajo ka porositur Qeverinë dhe opozitën, që të gjejnë mënyra për tejkalimin e mospajtimeve, duke e parë propozimin 5-pikësh të Vjosa Osmanit e Ilir Dedës, si alternativë për kalimin e kësaj krize.

“Duke parë protestat e dhunshme në Kuvendin e Kosovës, unë kërkoj edhe njëherë përgjegjësi politike nga partitë opozitare dhe Qeveria, që të mos ketë edhe më shumë përshkallëzime të dhunës. Arrestimi i deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe dhjetëra aktivistëve të tjerë të shtunën mund të jetë kryer sipas procedurave penale, por duke marrë parasysh situatën e tensionuar, koha dhe shtrirja e këtij aksioni nuk ishin të dobishme, për të përkrahur një fillim fuqimisht të nevojshëm për dialog mes opozitës dhe Qeverisë”, tha Lunaçek.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Lunaçek ka sugjeruar që dialogu të jetë mjeti i vetëm për zgjidhjen e mospajtimeve, duke bërë thirrje që të shfrytëzohen mundësitë e ndryshme për të shkuar deri tek ulja në të njëjtën tryezë bisedimesh.

Top Channel