Gazi lotsjellës në Kuvend, AGK: Mediet të marrin masa për gazetarët e reporterët

30/11/2015 00:00

Pas hedhjes së gazit lotsjellës në hollin e Kuvendit gjatë kësaj të hëne, ku dëmet më të tepërta i pësuan gazetarët dhe kameramanët, që ishin pa mjete mbrojtëse, në mbrojtje të tyre ka dalë Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.

AGK, në një deklaratë të saj, shprehet jashtëzakonisht e shqetësuar për mosveprimin e medieve në Kosovë, për sa kohë që situata e sigurisë është përkeqësuar në vend dhe gazetarët i janë ekspozuar së tepërmi rrezikut.

Në komunikatën për mediet AGK thotë se, pavarësisht zhvillimeve, mediet kosovare po merren shumë pak me sigurinë e gazetarëve.

AGK kërkon nga mediet dhe drejtuesit e tyre, që të sigurojnë mjetet e nevojshme për punë, duke përfshirë këtu kartat e identifikimit “ID”, veshjet e përshtatshme me mbishkrimin “PRESS” (Shtypi), si dhe maskat për mbrojtjen nga gazi lotsjellës.

“AGK është e dëshpëruar me mediet, pasi gjatë ditës së sotme, gazetarët në Kuvendin e Kosovës janë detyruar të qëndrojnë në hapësira ku është hedhur një sasi e madhe gazi lotsjellës. Mos sigurimi i mjeteve të duhura është i barabartë me shkeljen e të drejtave të punëtorit”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Top Channel