Obama takon Putin: Assad duhet të largohet

30/11/2015 17:20

Barack Obama dhe Vladimir Putin shfrytëzuan samitin e klimës në Paris për t’u takuar kokë më kokë, ku në qendër të bisedimeve ishte kriza siriane.

Sipas mediave ndërkombëtare, në takim shefi i Shtëpisë së Bardhë ka shprehur qëndrimin e qartë të Uashingtonit duke i deklaruar homologut rus se e ardhmja e Sirisë është pa presidentin Bashar al-Assad.

“Assad duhet të largohet dhe kjo duhet të ndodhë përmes një tranzicioni politik”, ka deklaruar Obama.

Rusia, një aleate e hershme e regjimit të presidentit sirian, prej javësh vijon sulmet ajrore kundër kundërshtarëve të Assad-it. Moska thotë se në shënjestër të saj janë bazat e ISIS-it, ashtu sikundër SHBA dhe koalicioni ndërkombëtar i udhëhequr prej saj. Por, Perëndimi thotë se bombat ruse po bien mbi rebelët e moderuar të mbështetur prej tij në betejën kundër Assad.

Në shënjestër të bombardimeve ruse janë edhe zonat kufitare mes Turqisë dhe Sirisë, ku jeton një komunitet i vogël turkmenësh. Pak ditë më parë, në këtë zonë u regjistrua edhe incidenti më i rëndë që prej nisjes së bombardimeve ruse në Siri. Avionët luftarakë turq rrëzuan një bombardues rus, duke shkaktuar zemërimin e Moskës që është shprehur përmes sanksioneve të forta ekonomike dhe sociale ndaj Turqisë dhe shtetasve turq.

Nga ana e saj, Ankaraja është justifikuar se ka mbrojtur hapësirën e vet ajrore dhe është përpjekur të zbusë tensionet. Në kuadër të kësaj, vetë presidenti Rexhep Taip Erdogan ka ftuar për një takim homologun Putin. Të dy presidentët ndodhen në Paris në kuadër të samitit për klimën. Megjithatë, ftesa e Erdogan jo vetëm që nuk ka marrë një përgjigjie pozitive prej Putinit, por është shoqëruar me të tjera sanksione dhe këtë herë u përfshi edhe bota e sportit. Ministria ruse e Sportit u bëri thirrje klubeve sportive vendase që të mos nënshkruajnë asnjë kontratë me futbollistët turq.

Ndërkohë, disa qindra kilometra më tej, në Bruksel, Ahmet Davutoglu u takua me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg. Se çfarë është diskutuar në takim nuk ka dalë asgjë në publik, por besohet se në qendër të bisedimeve ka qenë kriza ruso-turke dhe se Ankaraja po shfrytëzon postin si anëtare e NATO-s për t’iu përgjigjur presionit rus

Top Channel