Turqia nis zbatimin e ujdisë me BE-në, ndalon refugjatët

30/11/2015 19:00

Turqia ka nisur të jetësojë menjëherë marrëveshjen e arritur me Bashkimin Europian për çështjen e refugjatëve.

Agjencia shtetërore e lajmeve Anadolu njoftoi se autoritetet e sigurisë kanë bllokuar mbi 1300 emigrantë që po u drejtoheshin kufijve me Greqinë. Sipas kësaj agjencie, emigrantët ishin nga Siria, Iraku, Irani dhe Afganistani.

Të gjithë emigrantët u shoqëruan në një qendër riatdhesimi dhe disa prej tyre mund të deportohen drejt vendeve të origjinës.

Autoritetet turke janë vënë në lëvizje në parandalimin e fluksit të refugjatëve pak orë pas marrëveshjes së arritur me Bashkimin Europian, ku Ankaraja përfiton mbi 3 miliardë Euro ndihmë nga Unioni në këmbim të kontrollit të kufijve të vet.

Turqia është përdorur si vend tranzit nga refugjatët që vërshojnë nga zonat e konfliktit në Lindjen e Mesme dhe Afganistani. Refugjatët hidhen kryesisht përmes Egjeut drejt Greqisë e më pas drejt vendeve të Europës Perëndimore.

Çështja e refugjatëve është një “mollë sherri” mes Turqisë dhe Bashkimit Europian. Brukseli ka qortuar shpesh Ankaranë për apati për parandalimin e fluksit.

Top Channel