Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare Menduh Thaçi, ka mohuar zërat se mes subjektit të tij dhe BDI-së së drejtuar nga Ali Ahmeti, ekziston një koalicion për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

“Jam keqinterpretuar dhe janë nxjerrë nga konteksti deklarimet e mia. Nuk ka koalicion me BDI, por propozimi im ka qenë që ne të mundohemi të arrijmë një marrëveshje për një platformë të përbashkët, pasi bashkërisht kemi konstatuar se gjendja e shqiptarëve është shumë e keqe dhe tendencat janë që të shkojë edhe më keq. Përgjigja jo formale e BDI-së ishte negative. Unë isha i vetëdijshëm për atë, prandaj thash që ata duhet të përgatiten që të humbin legjitimitetin prej nesh”, u shpreh Menduh Thaçi, kryetari i PDSH-së.

Thaçi, sqaroi edhe pjesëmarrjen e tij në tubimin e organizuar me rastin e shpalosjes së përmendores së heroit Aqif Reçanit më 28 nëntor, ku ishte i pranishëm edhe nënkryetari i BDI-së.

“Më 28 nëntor kam pas ftesë prej Këshillit për organizimin e ngritjes së bustit të heroit Aqif Reçani nga ana e fshatit Reçan dhe unë asaj ftese i jam përgjigjur pozitivisht për shkak se Aqif Rexhani, Xhem Gostivari e të tjerët, bëjnë pjesë në të djathtën e sakatuar shqiptare gjatë kohës së “çlirimit” nga partizanët, ndërsa PDSH-ja është një parti e djathtë. Unë kam respektuar ata që na kanë thirrur. Nuk ishte manifestimi i BDI-së”, tha Thaçi.

Kreu i PDSH-së, u zotua se do të angazhohet për një betejë demokratike pa ofendime dhe incidente si dhe bëri thirrje që edhe oponenti i tij politik të sillet në atë mënyrë.

Top Channel