Dha jetën për “Shqipërinë etnike”

30/11/2015 00:00

Ishte ende fëmijë, kur nga një artikull në gazetë kishte dëgjuar për herë të parë për Shqipërinë etnike. Një hartë i kishte tërhequr vëmendjen dhe kishte pyetur të atin, se çfarë kuptimi kishte.

Përgjigjja se “ishte ende shumë i vogël për ta ditur” nuk e kishte kënaqur. Një ditë më pas e kishte vizatuar në klasë, i ishte tërhequr vërejtje nga mësuesja dhe djali ishte mërzitur së tepërmi. Kështu nis historia e Ilir Sobës, dëshmor i luftës së Kosovës. Atë ditë, e ëma e Ilirit e kujton mirë.

Më pas vitet kaluan, Iliri u bë një muzikant i shquar në Gjakovë, por hartën e ngulitur në fëmijëri nuk e kishte harruar. Në moshën 27-vjeçare iu bashkua UÇK-së, ku në dëshirën për një Kosovë të lirë dha jetën.

Te të dy prindërit dhimbja zbehet, kur kujtojnë idealin që kish i biri.

Kitara që ruhet ende me fanatizëm, si dhe bredhi që mbolli Iliri shumë vite më parë, janë disa prej kujtimive më të bukura, që ai i ka lënë familjes. Ndërsa emri dhe vepra e tij kanë lënë gjurmë në rrugët e qytetit dhe mendjet e gjithkujt, që e njohu atë si djalin që donte qiellin, yjet, lirinë.

Top Channel