Erdogan: Nëse vërtetohet akuza e Putin, jap dorëheqjen si President

30/11/2015 00:00

Duke folur gjatë së hënës në kuadër të punimeve të samitit të Parisit mbi ndryshimet klimatike, Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan është shprehur se do të ishte i gatshëm të largohej nga posti aktual, nëse do të provohej bashkëpunimi i Turqisë me Shtetin Islamik.

“Nuk jemi aq të pandershëm sa të arrijmë deri në pikën, ku të mund të blejmë naftë kontrabandë nga terroristët. Nëse kjo akuzë do të provohej, sigurisht qoftë edhe detaji më i vogël për këtë, atëherë unë do të jepja dorëheqjen nga Presidenca. Nëse ekziston qoftë edhe një provë e vetme, atëherë kushdo që na akuzon le ta paraqesë atë. Ne sigurisht që do ta merrnim në konsideratë”, besohet të ketë thënë Erdogan, i cituar nga agjencia ruse e lajmeve “Itar Tass”.

Presidenti Erdogan kishte thënë më herët se qeveria e tij do të vepronte gjithashtu në mënyrë “të kujdesshme, të durueshme dhe jo e ndikuar emocionalisht”, përpara se të ndërmerrte masa në kundërpërgjigje të vendimit të Rusisë për t’i vendosur sanksione Turqisë.

Moska bëri të ditur një ditë më parë se do të ndalonte shumicën e importeve të produkteve ushqimore nga Turqia, pasi kjo e fundit rrëzoi një avion luftarak rus javën e kaluar, një veprim që ushtria turke e konsideroi si legjitim, pasi ishte në mbrojtje të hapësirës së saj ajrore.

Presidenti rus, Vladimir Putin kishte refuzuar më herët gjatë ditës të takohej me homologun e tij turk në Paris, ndërkohë që ka shkuar edhe më larg me akuzat e tij, duke u shprehur se Turqia e kishte rrëzuar avionin rus për të mbrojtur interesat e saj: me këtë nënkuptonte furnizimin me naftë e gaz natyror kontrabandë nga Shteti Islamik.

Kreu i Kremlinit deklaroi se rrëzimi i atij avioni ishte “një gabim i madh”. “Kemi siguruar të dhëna të tjera shtesë, të cilat konfirmojnë se nafta e Shtetit Islamik hyn në territorin e Turqisë, – tha Putin. – Vendimi për të rrëzuar avionin ishte diktuar specifikisht nga dëshira e tyre për të mbrojtur këto furnizime”.

Erdogan i quajti këto akuza tërësisht si shpifje, ndërkohë që ka premtuar se Turqia do të punojë për t’u siguruar se marrëdhëniet me Rusinë, furnizuesin kryesor energjetik të saj, të mos dëmtohen tërësisht. Marrëdhëniet dypalëshe janë lëkundur ndjeshëm që prej aktit të 24 nëntorit, mbi kufirin siriano-turk.

Top Channel