Ankaraja nuk kërkon falje, Davutoglu: Moska të rishqyrtojë sanksionet

30/11/2015 00:00

Ankaraja nuk do të kërkojë falje për rrëzimin e avionit ushtarak rus në kufirin sirian, por sipas Kryeministrit turk, Moska duhet t’i rishqyrtojë të gjitha sanksionet hakmarrëse.

“Mbrojtja e hapësirës tonë ajrore, nuk është vetëm një e drejtë, por një detyrë për qeverinë time ndaj edhe ne nuk do të kërkojmë falje sepse bëmë detyrën tonë”, tha Kryeministri i Turqisë, Ahmet Davutoglu.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me kreun e NATO-s, Jens Stoltenberg, Davutoglu tha se shpreson që “Rusia të rishikojë masat që kanë interesa dypalëshe”,   duke iu referuar këtu sanksioneve ekonomike. Ndaj në emër të qeverisë, Davutoglu shprehu angazhim për komunikim me Moskën.

“Në qoftë se pala ruse dëshiron të flasë, ne jemi të gatshëm; në qoftë se ata duan më shumë informacion, ne jemi të gatshëm; në qoftë se ata duan të normalizojnë marrëdhëniet, ne jemi të gatshëm për të folur”, tha Davutoglu.

Reagimi i shefit të qeverisë së Ankarasë, erdhi pasi Vladimir Putin refuzoi sërish ftesën e Erdogan për t’u takuar në koferencën globale të klimës në Paris. 

Ndërkohë, Stoltenberg tha se teksa Turqia ka çdo të drejtë për të mbrojtur hapësirën e saj ajrore, fokusi duhet  të jetë në shmangien e përshkallëzimit të marrëdhënieve mes tyre.

“Unë përshëndes përpjekjet turke për të krijuar kontakte me Rusinë, është e rëndësishme për të ruajtur qetësinë. I bëj thirrje Rusisë për të luajtur një rol konstruktiv në Siri duke synuar ISIS, armikun tonë të përbashkët”, tha Stoltenberg.

Top Channel