Napoli mposht Interin dhe merr kreun

30/11/2015 00:00

Napoli mposhti në “San Paolo” 2-1 Interin, në atë që ishte dhe supersfida e Serisë A në javë e 14. Me këtë fitore, napoletanët marrin kryesimin e kampionatit italian me 31 pikë, një më shumë se Interi.

Ndeshja filloi e mbarë për Napolin, të cilët me anë të argjentinasit Higuain gjetën golin që në minutën e dytë. Në fundin e pjesës së parë, Nagatomo ndëshkohet me kartonin e dyte të verdhë, duke e lënë Interin me dhjetë lojtarë.

Me nisjen e pjesës së dytë është sërish Napoli ai që duket më superior në fushë, ndërsa Interi, pavarësisht ndryshimeve të bëra nga trajneri Mancini, nuk arrin dot të finalizojë.

Do të duhej të vinte minuta e 62, ku sërish Higuain do të dyfishonte rezultatin për Napolin. Pesë minuta më pas, Ljajic ngushton diferencën për Interin. Por, vetëm kjo nuk mjafton.

Në fund të ndeshjes, lojtarët e Interit patën disa raste shënimi, madje duke goditur dhe shtyllën, por këtë here fati ishte në anën e Napolit, i cili siguroi fitoren e 9 në kampionat dhe kreun e renditjes.

Vlen të theksohet dhe paraqitja shume e mirë e mbrojtësit shqiptar Elseid Hysaj, i cili u aktivizua gjatë gjithë ndeshjes dhe ishte një ndër lojtarët më të mirë në fushë për Napolin.

Top Channel