La Liga nderon më të mirët, dominon Barcelona

01/12/2015 10:50

Liga Spanjolle e Futbollit nderoi me çmime më të mirët e sezonit të kaluar. Barcelona ishte skuadra e kësaj mbrëmje me 5 çmime të fituara kundrejt 3 të Realit të Madrdit.

Argjentinasi Lionel Messi fitoi 2 çmime; atë të Lojtarit dhe të Sulmuesit më të mirë të sezonit.

“E vërteta është se jam shumë i lumtur dhe mirënjohës për këtë çmim. Mendoj se pas sukseseve që arritëm sezonin e kaluar ne i merituam këto çmime”, tha Messi.

Messi foli edhe për Topin e Artë, ku është një prej finalistëve për fitimin e këtij trofeu së bashku me Neymar dhe Cristiano Ronaldon.

“Jam i lumtur që jam sërish mes 3 finalistëve, e sidomos që jam së bashku me Neymar. Do të doja që në këtë finale të ishte edhe Suarez, pasi e meritonte për paraqitjet e bëra sezonin e kaluar, por nuk i heq asnjë meritë as Ronaldos, pasi edhe ai e meritoi këtë nominim. Jam i bindur se të gjithë do të argëtohemi në këtë mbrëmje Gala, ashtu siç kemi bërë gjithnjë”, shtoi argjentinasi.

La Liga dha edhe çmimin për trajnerin më të mirë që i shkoi Luis Enrikes. Bravo fitoi çmimin e portierit më të mirë, Sergio Ramos u shpall si mbrojtësi më i mirë, ndërsa trofeui i mesfushorit më të mirë iu dha James Rodriguez.

Neymar gjithashtu fitoi një çmim; atë të të futbollistit më të mirë amerikano-latin, ndërsa Cristiano Ronaldo u shpall futbollisti më i mirë sipas tifozëve.

Top Channel